Autoritetet në Gjermani kanë rritur masat e sigurisë në aeroportet kryesore të vendit, pas sinjalizimeve për sulme të mundshme terroriste. Strukturat ligjzbatuese kanë vepruar të ndikuara edhe nga sulmi i një jave më parë në Strasburg, që ndodhet 150 kilometra larg qytetit të Shtutgartit.
Aeroportet më të mëdha të Gjermanisë janë vënë në gjendje alarmi pasi 4 persona të dyshuar për terrorizëm u vunë re teksa monitoronin aeroportin e Shtutgartit. Policia lokale është vënë në kërkim të dy personave, atë e bir, nga rajoni i Rehnit Verior Vestfalia, si dhe për dy persona të tjerë që po fotografonin terminalin e aeroportit. Autoritetet ligjzbatuese gjermane u vunë në lëvizje pas sinjalizimeve të dhëna nga shërbimet sekrete marokene, një javë pas sulmit terrorist të ndodhur në kufirin me Francën. Tre persona mbetën të vrarë nga Sherif Çekat në tregun e Krishtlindjes së Strasburgut, që ndodhet rreth 150 km nga Shtutgarti. Policia gjermane ka deklaruar për transmetuesin publik ARD se forcat e sigurisë janë në gjendje gatishmërie në të gjitha aeroportet e vendit, ndërsa revista “Bild” në edicionin online ka saktësuar se masat janë përforcuar në 14 strukturat më të mëdha të Gjermanisë. Që prej sulmit të Strazburgut, aktivitete të dyshimta janë konstatuar edhe në aeroportin “Sharl dë Gol” të Parisit. Në rastin gjerman, atë e bir u kapën përmes kamerave të sigurisë teksa bënin foto përreth aeroportit, por u larguan para se të mbërrinte policia. Gjermania ra pre e një sulmi terrorist pak përpara Krishtlindjes së vitit 2016, kur xhihadisti tunizian Anis Amri vërshtoi me një kamion në tregun festiv të Berlinit, duke vrarë 12 persona dhe plagosur shumë të tjerë. /abcnews.al