Rrezik për automjetet, moti i keq shkakton probleme në jug të vendit

schedule20:05 - 22 Dhjetor, 2019

schedule 20:05 - 22 Dhjetor, 2019

Moti i keq ka shkaktuar probleme në disa zona në jug të vendit. Kapiteneria e Portit te Vlorës ka vendosur pezullim të lundrimit detar për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Ndërsa trageti me pasagjerë që kishte mbërritur mbrëmë nga Brindisi ka mundur të ankorohet vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm. Trageti me pasagjere ka qëndruar për disa orë në radë për shkak të detit të trazuar.

Aktualisht, në Qarkun e Vlorës nuk raportohet për situatë përmbytjesh nga reshjet intensive. Por, problematike situata paraqitet në Qafën e Llogarasë. Aksi rrugor nga Pisha Flamur deri ne afersi të vend-hedhjes së Parashutistëve gati 5 km, shikueshmëria për drejtuesit e automjeteve është e kufizuatr nga mjegulla.

Po ashtu dhe era e fuqishme është një rrezik për automjetet që kalojnë në këtë aks. Për këtë arsye, në Llogara është vendosur një stacionon patrulle policie për të shmangur problematikat dhe orientuar drejtuesit e mjeteve.

Reshjet e vazhdueshme kanë sjellë probleme në hyrje të qytetit të Gjirokastrës për lëvizjen e automjeteve, por edhe të këmbësorëve. Liqeni i Viroit është në pikë kritike për daljen nga shtrati. Ndërkohë që gjatë natës, është rrëzuar një mur i vjetër i një shtëpie dhe gurët kanë bllokuar një korsi të rrugës.

Sipas informacioneve të Autoritetit Rrugor Shqiptar më problematike është paraqitur situata në aksin Bajram Curri –Valbonë, ku ka pasur rënie masive gurësh dhe dherash. Rënie materialesh ka pasur edhe në segmentet Hani i Hotit – Tamarë, Mjedë –Pukë, Fushë Arrëz –Kukës. Gjithashtu ka pasur rënie të mëdha gurësh dhe inertesh në akset Ura e Leklit – Këlcyrë dhe Berat – Çorovodë, si dhe në vendin e quajtur Shkalla e Zezë në aksin Gjitokastër – Tepelenë. Ndërsa në akset Tepelenë-Dukaj dhe Këlcyrë – Përmet ka pasur rënie pemësh. Gjithashtu sipas ARRSH në të gjitha akset rrugore është i mundur qarkullimi i mjeteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!