Rrethohen “Sarajet” në Tiranë: Bashkia do të marrë godinën, familjarët kundërshtojnë

schedule22:52 - 27 Tetor, 2021

schedule 22:52 - 27 Tetor, 2021

Policia bashkiake në Tiranë ka rrethuar mbrëmjen e së mërkurës Sarajet e Toptanëve. Gazetarja e ABC, Leontina Nika raporton se sot pasdite është dhënë një urdhër për të marrë nën administrim për mirëmbajtje.

Pasi janë njoftuar nga qytetarët, pronarët kanë shkuar pranë pronës dhe kërkojnë që të ulen në tryezë dhe të negociojnë me bashkinë apo Ministrinë e Kulturës.

Ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti ka bërë të ditur se “saga” e Sarajeve ka marrë fund dhe se së shpejti do të nisë puna për “ta kthyer godinën në identitet”.

Por, pronarët kanë pretendimet e tyre, ata kërkojnë që të negociohet çmimi për shpronësim në bazë të vlerës reale që Sarajet kanë, ose edhe të lëshohen me qira.

“Pretendimi i parë është që bashkia, ministria e Kulturës të flasë me ne. Jemi njerëz që mund të merremi vesh, të ulemi në tavolinë siç u ulën me Kadarenë dhe Agollin. Na kanë injoruar. Jemi të diskirminuar, pse duhen gjithë këto policë. Ne kemi filluar me ankesat tona, duam të bëhet në mënyrë ligjore. Nëse do t’i shërbejë vendit, le t’i shërbejë, por jo kështu. Kërkojmë vlerën reale nëse duan ta marrin…”

Lexo edhe:Pas zjarrit shpronësohen Sarajet, sa lekë do të marrin pronarët

Vetëm tre ditë pas zjarrit të vënë qëllimisht, është shpronësuar godina e Sarajeve të Toptanëve në Tiranë. Kjo godinë e shpallur monument kulture tashmë i ka kaluar bashkisë së Tiranës, ndërsa vendimi është botuar edhe në fletoren zyrtare.

Sipas vendimit, pronarët do të marrin një vlerë monetare prej 178   694   456   (njëqind   e   shtatëdhjetë  e tetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë./abcnews.al/