“Rrethanat janë rënduar”, avokati Beqiri: Janë shtuar akuzat për ish-çiftin Meta, ka prova të pakontestueshme

schedule18:38 - 4 Nëntor, 2024

schedule 18:38 - 4 Nëntor, 2024

TIRANË- Ish-presidenti Ilir Meta, i cili po mbahet i arrestuar ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Përmes avokatit të tij mbrojtës paraditen e së hënës, ka ankimuar në gjykatë masën e arrestit në burg të caktuar ndaj tij prej datës 21 tetor.

Po ashtu dhe Monika Kryemadhi iu drejtua Gjykatës së Apelit  ku kërkoi rrëzimin  e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”

Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News tha se kërkesat e tyre nuk do merren parasysh, pasi nuk ka ndryshim rrethanash për mirë, por situata e ish-çiftit Meta ka ardhur duke u rënduar në raport me provat e gjetura, që rëndojnë pozitën e tyre në raport me drejtësinë shqiptare.

“Janë kërkesa që bëhen sa për të larë gojën. Avokatët e tyre janë të ndërgjegjshëm, pasi të kërkohet një ndryshim mase, duhet të kenë ndryshuar rrethanat. Rrethanat kanë ndryshuar, por kanë ndryshuar për keq, ku përveç akuzave që janë publike dhe I kemi lexuar, atje janë prova të pakontestueshme. Rrethanat janë rënduar dhe për aq sa rëndohen, nuk do ketë lehtësim mase”, tha ai.

Ai theksoi se edhe me divorcin, Meta dhe Kryemadhi tentuan të servirin “filmi e radhës” para shqiptarëve.

Sipas tij, Meta dhe Kryemadhi kanë tentuar të fshehin gjurmët e tyre të korrupsionit dhe tani të kapur nga drejtësia, nuk kursejnë akuzat ndaj njëri tjetrit.

“Ata u përpoqën të bëjnë mjaft filma me atë të ashtuquajturin divorc. E kuptuam se ishte një lojë pa sens, por çdo gjë e kanë bërë që të fshehin gjurmë të krimit dhe të fshehin pasuritë dhe tani mundohet t’i hedhin fajin njëri tjetrit. Ata e dinë se çfarë vjedhje i kanë bërë buxhetit. Çdo fjalë që ajo hedh, i duket sikur i thotë bukur, por aq më shumë bëhet qesharake dhe nga ana tjetër e rëndon veten e vet dhe nuk tregon asnjë lloj pendimi. Ku mbulohen krimet e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit?”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!