“Rreth 4 mijë regjistrime në ditë”/ Kuko: Diaspora, interes të lartë për të votuar. Numri më i madh i aplikimeve nga Italia

schedule13:23 - 16 Janar, 2025

schedule 13:23 - 16 Janar, 2025

Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Romina Kuko thotë se diaspora shqiptare ka shprehur interes të lartë për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Kuko u shpreh se ka rreth 4 mijë regjistrime në ditë, duke u bazuar edhe te të dhënat e KQZ.

Kuko shtoi se numri më i madh i aplikimeve është nga Italia.

“Po ju jap të dhënat e fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në total, kemi 20055 kërkesa. Të miratuara 4366. Në shqyrtim janë 13800 kërkesa. Kemi një ndasi interesante mes gjinive, djemtë dhe burrat kanë një shifër 67 përqind. Gratë janë diku te 32 përqind. Grupmosha që prevalon për aplikime, është grupmosha 26-35 vjeç, që kapin shifrën e 30 përqind të atyre që kanë aplikuar. Shumica e aplikimeve vijnë nga Italia, më pas Greqia, Gjermania, SHBA e kështu në vazhdim. Meshkujt ndoshta janë më të interesuar për jetën në vend, nuk e di, është interesante, kërkon një analizë. Po të shikosh në 5 ditët e fundit, ka një trend të qëndrueshëm, kemi rreth 4 mijë regjistrime në ditë. Në 1 muaj e gjysmë, pak më shumë, ne do ta kapim këtë shifër, ose mund të ndodhë që t’i lënë në momentin e fundit. Për momentin, regjistrimet janë konstante, nuk ka rënie, por ka një shtim. Diaspora realisht kërkon të kontribuojë në demokracinë e vendit. Ka nisur një tur takimesh me strukturat e Partisë Socialiste në diasporë, për t’i orientuar ata në procesin e regjistrimit. Regjistrimi, ka të bëjmë vetëm me një orientim. Shohim një entuziazëm që diaspora ka, që më në fund u realizua pjesëmarrja e tyre në votim. Shohim interes shumë të lartë, edhe në jetën politike të vendit”, theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!