Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord botëror me pothuajse 1 milion të infektuar me koronavirus të raportuara të hënën, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters. Shifra është pothuajse sa dyfishi i arritur një javë më parë ndërsa varianti Omicron, tejet infektues, nuk tregon shenja ngadalësimi.
Numri i pacientëve të shtruar në spitale me COVID-19 është rritur gati 50% në javën e fundit dhe tani tejkalon shifrën prej 100,000 individësh, tregon një analizë e agjencisë së lajmeve Reuters, hera e parë që ky prag është arritur që nga dimrii një viti më parë.
Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një mesatare ditore prej 486,000 rastesh gjatë javës së fundit, një normë që është dyfishuar në shtatë ditë dhe tejkalon çdo vend tjetër. 978,856 infeksionet e reja të raportuara të hënën përfshijnë disa raste nga e shtuna dhe e diela, kur shumë shtete nuk japin njoftime.
Numri mesatar i vdekjeve ditore në Shtetet e Bashkuara nga COVID-19 ka mbetur mjaft i qëndrueshëm gjatë gjithë dhjetorit dhe në fillim të janarit në rreth 1,300, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters.
Varianti Omicron duket se transmetohet shumë më lehtë se sa mutacionet e mëparshme të virusit. Sipas vlerësimeve, varianti përbënte 95.4% të rasteve të koronavirusit të identifikuara në Shtetet e Bashkuara që nga 1 janari, njoftuan të martën Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se provat e deritanishme sugjerojnë se varinati Omicron po shkakton pasoja më të lehta./VOA