Nga përgjimet e kryera, rrëmbimi i Jan Prengës është urdheruar me një telefonatë nga burgu i Ekuadorit. Bëhet fjalë për person të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Spanja, Iitalia dhe Mbretëria e Bashkuar Gramoz ose Dritan Rexhepin alias Lulzim Murataj.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Rexhepi drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës nga qelia e burgut ekuadorian. Lënda narkotike merrej në Ekuador dhe dërgohej në Mbretërinë e Bashkuar. Shkak për pengmarrjen e Prengës dyshohet të jetë bërë konflikti për një sasi prej 300 kg kokainë. Astrit Prenga, vëllai i viktimës, ka pasur për detyrë që të siguronte kalimin e ngarkesës së drogës nga porti i Portsmuthit në Angli në destinacionin final. Por droga nuk shkoi tek pritësit. Dyshimet ranë mbi Astrit Prengen, një nga dy shqiptarët e arrestuar tashmë në Britani. Përgjimet kanë kapur një bisedë të biznesmenit, Gentian Doci me Astrit Prengën, të cilin e kërcënon me jetën e të vëllait, nëse nuk kthehej sasia e kokainës.
Biznesmeni Doci konsiderohet si njeriu kyç që urdhëroi rrëmbimin e Jan Prengës. Familjarët e 49 vjeçarit të marrë peng kanë zgjedhur kanunin për të zgjidhur këtë situatë. Në bazë të përgjimeve, rezulton se familja Prenga ka dërguar një pajtues gjaqesh në Shkodër për të negociuar për lirimin e djalit të saj. Ata kanë dhënë siguri për kthimin e lëndës narkotike, në këmbim të jetës së babait të 5 fëmijëve, i cili mësohet se nuk ka pasur lidhje me aktivitetin kriminel të vëllezërve të tij ne Britani.
Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, forcat e RENEA-s zbarkuan në Shkodër në kërkim të Gentian Docit, për të cilit kishte të dhëna se fshihet në fshatin Bardhaj, dhe personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në rrëmbimin e Jan Prengës. Policia ka bërë të ditur se janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura për të mbledhur prova që mund të shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Në polici u shoqëruan dhe u morën në pyetje dy persona që, sipas burimeve, janë me rekorde kriminale. Por gjatë marrjes në pyetje ata kanë mohuar të kenë lidhje me rrembimin e Jan Prenges. Dy shkodranë te tjerë me iniciale M. B dhe K. G. të shpallur në kërkim janë gjithashtu me rekorde kriminale në vendet e BE-së. Sipas dyshimeve të policisë, personi me iniciale K.G mund të kete bërë rolin e ndërmjetësit, duke çuar mesazhin për rrëmbimin e Prengës. Nga hetimet e deri tanishme të përfshirë në këtë ngjarje rezultojnë 3 grupe kriminale që vepronin në Shkodër, Shijak dhe Vlorë.
Ndërkaq policia ka zgjeruar hartën e kërkimeve për të gjetur trupin e pajetë të 49-vjeçarit Jan Prenga, që u mor peng në Kamzë në datën 17 janar. Burime bëjnë të ditur se po kërkohet edhe në lumin Erzen, pasi dyshohet që trupi i tij mund të jetë hedhur në ujë ose mund të jetë groposur diku afër lumit./abcnews.al