Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kosovë, ku gjyshërit e një 3 vjeçareje e kanë rrëmbyer atë dhe kanë tentuar ta largojnë jashtë vendit.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se një gruaje nga Plemetini i Obiliqit, i ka dalë telashe me prindërit e burrit të saj të ndjerë, të cilët janë përpjekur të rrëmbejnë vajzën 3-vjeçare, duke tentuar ta largojnë nga Kosova.
Gjyshërit e vajzës 3-vjeçare kanë tentuar ta ndajnë atë nga nëna e saj. Kështu, ata e kanë marrë vajzën dhe janë për t’u larguar nga Kosova. Por, problem u doli në pikën kufitare në Jarinjë. Ata nuk kishin asnjë dokument i cili i autorizonte ta merrnin 3-vjeçaren, mbesën e tyre.
Ndërkohë pas kontaktit të Express me policinë mësohet se vogëlueshja tashmë i është kthyer nënës.
“Gjyshërit e kanë marrë mbesën e tyre 3 vjeçe, pa pëlqimin e nënës. Të njëjtit kanë tentuar të udhëtojnë jashtë vendit, ku më pas janë ndaluar në pikën kufitare në Jarinje, aty pasi nuk kish autorizim per vajzën, janë arrestuar, më pas vajza I është kthyer nënës së tyre, ndërkaq rasti ka kaluar në procedurë të rregullt”, bëhet me dije nga policia.
Ndërkohë, gruas nga Plemetini i Obiliqit i ka vdekur bashkëshorti dhe jeton vetëm me vajzën e saj 3-vjeçare. Lidhur me këtë ngjarje ka njoftuar edhe Policia në raportin 24 orësh, ku është bërë e ditur se rasti po cilësohet si “Marrje e kundërligjshme e fëmijës”.
“Marrje e kundërligjshme e fëmiut. Fsh. Plemetin, Obiliq 04.12.2020-11:30. Raportohet se të dyshuarit një femër dhe një mashkull kosovar-e, pa pëlqimin e viktimës –ia kanë marrë vajzën 3 vjeçare dhe kanë tentuar që të udhëtojnë jashtë Kosovës nëpërmes pikës kufitare Jarinjë, ku edhe janë ndaluar. Të dyshuarit dhe viktima janë shoqëruar në stacionin e Obiliqit ku dhe janë intervistuar. Me vendim të prokurorit fëmija i kthehet nënës dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë./abcnews.al