Rregullorja e re për menaxhimin e plazheve/ Eksperti: Turizmit po i kushtohet rëndësia e duhur. Përmirësimet do të kenë impakt

schedule14:22 - 24 Tetor, 2024

schedule 14:22 - 24 Tetor, 2024

Duke nisur nga sezoni i ardhshëm veror, në dispozicion të pushuesve do të ketë më shumë hapësirë për plazhe publike. Rregullorja e re përcakton se në një kilometër vijë bregdetare 300 metra do të jenë plazh publik ndërsa do të respektohet edhe distanca prej 10 metra nga vija bregdetare e çadrave.

Eksperti për turizmin, Ferjolt Ozuni e cilësoi si një hap pozitiv rregulloren e re, pasi siç shtoi ai, një ndër problematikat më të mëdha është edhe hapësira e plazheve. Në një intervistë për “Money Report”, Ozuni shtoi se këto përmirësime do të kenë impakt te turistët dhe imazhi i vendit tonë.

“Për herë të parë në gjithë këto vite ku e trumbetojnë industrinë e turizmit si një nga motorët qe e çojnë ekonominë shqiptare përpara që qeveria ka marrë masa kaq herët dhe po i kushton rëndësinë që kjo industri ka. Sa i përket strategjisë dhe dokumenteve deri tani, kam parë që është rikthyer vëmendja siç duhet në industri turistike duke e ndarë shapin nga sheqeri pasi sa i përket plazheve kemi pasur problematika më të mëdha në këto vite. Pakënaqësitë që janë shprehur kanë qenë të mëdha në këto vite kjo ndarje nuk është ende e pjesëve të plazhit në privat dhe publik nuk është në ato që prisja por goxha më mirë sesa në vitet e kaluara të kesh 30 për qind plazh publik në hapësirat ku ka fluks të madh turistësh është arritje e madhe. Të shohim se si këto vendime do të vihen në zbatim dhe a do të arrijnë t’i mbijetojnë presioneve nga operatorët ekonomikë. Por po shohim përmirësime por do të ketë impakt të madh në imazhin e turistëve dhe industrisë turistike në Shqipëri.”, u shpreh ai.

Duke u ndalur te strategjia për ta ndarë vendin në klastera turistikë, eksperti shtoi:

“Nëse ecim në linjë me ato që kemi shkruar në letër, është e arritshme. Strategjia sjell në vëmendje të të gjithëve rëndësinë që ka industria turistike dhe duke e ndarë ne 6 klastera vendos një barrë mbi supe edhe pushteteve lokale që në vetvete do të jenë konkurrent me klasterat e tjerë që të formojnë industrinë për të cilën ëndërrojmë, një industri të qëndrueshme dhe që sjell të ardhura të vazhdueshme. Një vend si i yni ka mundësinë për të qenë epiqendra turistike në rajon.”/abcnews.al