Në studion e “ABC e Mëngjesit”, aktori Kliti Roshi vjen me një rrëfim të ndjerë për jetën me dhe pa të atin, legjendën e skenës shqiptare Kadri Roshi.
“Jam kopja e babait”, shprehet ai, duke theksuar se trashëgimia artistike është një përgjegjësi e madhe, por edhe një burim krenarie.
Kadri Roshi, me mbi 200 role në teatër dhe kinematografi, mbetet një figurë e papërsëritshme, edhe pse në fillimet e tij u refuzua dy herë për t’u bërë aktor. Për Klitin, ai nuk ishte vetëm një artist i madh, por edhe një prind që i dha vlera të forta për jetën.
“Fëmija është pasqyra e prindit”, thotë ai, duke shtuar se përpiqet çdo ditë të reflektojë cilësitë dhe ndershmërinë e të atit. Batutat e famshme të Kadri Roshit janë kthyer në moto jetese për të: “Gërmo Tare, gërmo” dhe “Punoni o njerëz, punoni” janë më shumë se fjalë – janë filozofi që lidhen me punën dhe përkushtimin.
Një nga momentet më prekëse mbetet këshilla e të atit: të mbetet i ndershëm, me shpirt të pastër dhe me dashuri për vendin e njerëzit. Një amanet që Kliti e mban si detyrim moral.
Sot, ai rrëfen se përtej emrit dhe famës, sfida më e madhe është të mos “ndotë” figurën e pastër që i ati la pas.


