Rrëfehet Rubiales: Kërkova falje, por nuk ishte puthje seksuale dhe me qëllim të keq

schedule15:14 - 13 Shtator, 2023

schedule 15:14 - 13 Shtator, 2023

Intervistuesi i tij tha se kjo mund të mbetet si puthja më e famshme në histori. Kuptohet, në aspektin negativ.

Ky intervistues ishte gazetari dhe drejtuesi i njohur televiziv britanik, Pirs Morgan, që pati në studion e tij atë që është tashmë ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubialesin.

Rubiales u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të reagimit të ashpër në vendin e tij dhe në të gjithë botën, pasi ai puthi futbollisten Xheni Hermoso pas fitores së Kupës së Botës për femra nga ana e Spanjës.

Si e gjykon ish-presidenti veprimin e tij?

“Unë bëra një gabim dhe kjo është e dukshme. Unë kërkova falje, por në atë moment unë po ndihesha sikur të isha një lojtar i ekipit. Gjithsesi, unë jam presidenti i Federatës, dhe presidenti i Federatës nuk duhet të sillet ashtu”

Gjithsesi, Rubiales thotë se puthja ishte diçka jo vetëm e pafajshme dhe normale në Spanjë, por edhe e mirëkuptuar.

“Ishte një veprim i dyanshëm. Ajo erdhi drejt meje shumë e lumtur dhe më ngriti në ajër. Vazhdoi një bisedë e shpejtë, ishim që të dy të emocionuar. Unë i dhashë një puthje të shkurtër, por e pyeta nëse mund ta bëja. Ajo po qeshte. Nuk i shkaktova asaj asgjë të keqe, nuk pati përmbajtje seksuale, as agresion. Asgjë të tillë. Puthja ndaj Xhenit ishte si një e tillë që mund t’u jepja vajzave të mia. Kjo ndodh mes miqve dhe familjarëve, është shumë e përhapur. Ishte një moment gëzimi dhe lumturie”./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!