Martin Braithwaite nuk e kishte ëndërruar kurrë kalimin te Barcelona, por asgjë nuk përjashtohet në futboll. Katalanasit, në gjendje të vështirë në repartin ofensiv si pasojë e dëmtimeve, vepruan shpejt dhe investuan në shkurt 18 milion euro për sulmuesin.
29-vjeçari zbulon një prapaskenë interesante rreth transferimit në “Camp Nou”. Braithwaite vendosi ta mbante sekret gëzimin e madh dhe po priste transferimin zyrtar. Diçka e tillë krijoi dyshime te bashkëshortja, teksa sulmuesi flet edhe për Leo Messin për Daily Mail.
“Gruaja ime mendonte se kisha të dashur. Mora shumë telefonata, por kisha vendosur të mos i tregoja askujt për kalimin te Barcelona. Nuk i tregova gjë as asaj. Filloi të kishte dyshime, pasi largohesha nga shtëpia sa herë që më binte telefoni.
Messi? E adhuroj, duhet të jesh gjithmonë në maksimumin tënd për të luajtur përkrah Leos“, thekson sulmuesi danez i kampionëve të Spanjës. /abcnews.al