Rrapi 6 shekullor dhe kroi i Ballabanecit në Krujë merren në “mbrojtje” nga banorët autoktonë

schedule15:40 - 19 Shtator, 2020

schedule 15:40 - 19 Shtator, 2020

Kruja është një qytet me asete historike që me fanatizëm po ruhen nga banorët e zonës, siç është Rrapi i Ballabanecit mbi 630 vjeçar, që i i ka mbijetuar luftërave dhe zjarreve, por dhe Kroi i Ballabanecit.

Kujtojmë se në arkivat e hershme të perandorisë Osmane dhe Venedikut përmendet zona ku është vendosur rrapi dhe kroi pasi ka qenë vendqëndrim i ushtrisë së Ballaban Pashës gjatë betejës së të Albulenës me 4 shtator të 1457.

Për shkak të zjarreve rrapit i janë hapur shumë zgavra, por ai sërish qëndron stoik dhe vitet e fundit po nxjerr dhe degë të reja. Sekretet e jetëgjatësisë së rrapit 6 shekullor na i përshkruan eksperti i pyjeve, Muharrem Loka të cilin banorët e thërresin “babai i pyjeve”.

“Rrapi ka jetëgjatësi të madhe është rreth 600 vjeçar. Rron deri në 4 mijë vjet, edhe kur i dëmtohet palca nuk i shkretohet druri. E mban vetveten me indet e veta dhe gjenerohet shpejt. Është dekorativ. Në Krujë ka 21 burime ujore aktive siç është Kroi i Ballabanecit që jemi ne këtu”, thotë ai.

Për këto dy asete kujdeset familja Lama, të cilët janë banorë autoktonë në Krujë. Në tokën e të parëve të tyre kanë ngritur një bujtinë dhe brenda territorit të saj janë ndodhen rrapi dhe kroi.

“Babai im ka qenë iniciator që kjo zonë mos preket. Mos vijnë makina të hedhin vajra të moskeqtrajtojnë këto asete. Bashkë me nënën time e kanë mirëmbajtur bashkë me gjithë fisin Lama. Të gjithë e kanë pasur merak që kjo zonë të zhvillohet. Më vjen keq që babai im dhe xhaxhi im nuk e panë të mbaruar këtë zonë. Kam jetuar shumë kohë në perëndim dhe kam ardhur me ide të qarta. Kemi mbjellë të gjitha llojet e pemëve që rriten në Shqipëri. Kemi ngritur fermë me 400 lloj zarzavatesh”.

Arbër Lama u kthye nga emigracioni për të plotësuar dhe amanetin e të atit.

“Më vjen keq që babai dhe xhaxhi nuk e panë të përfunduar”, thotë ai.

Zyhraja nëna e Arbrit edhe pse 84 vjeç nuk lë tokën pa punuar.

“Që në 4 të mëngjesit ngrihem dhe kujdesem për produkte por dhe për lulet më ka mësuar gjyshi”, thotë ajo.

Këtë vit pandemik Kruja është vizituar nga një numër i ulët turistësh, rreth 70% më pak se në 2019. /abcnews.al