“Rrahmani inteligjent dhe i kompletuar, Kumbullën e pret karrierë e madhe”

schedule17:58 - 10 Gusht, 2020

schedule 17:58 - 10 Gusht, 2020

Maurizio Setti është ndalur te Amir Rrahmani dhe Marash Kumbulla në prononcimin e fundit. Të dy mbyllën sezonin e parë në Serie A dhe shkëlqyen me Hellas Verona. Kapiteni i Kosovës u shit te Napoli për shumën e 14 milion eurove dhe presidenti i Hellas nuk i kursen elozhet për të.

Drejt largimit është edhe 20-vjeçari i kombëtares kuqezi. Interesimi për Kumbullën është i madh dhe e ardhmja e tij është mes Lazios dhe Interit. Në prononcimin e dhënë për Radio Kiss Kiss, Setti tregon se pse Kumbulla nuk u transferua te Napoli, teksa beson se e pret një karrierë madhështore.

RRAHMANI – “Napoli ka blerë një profesionist të shkëlqyer. Akoma nuk e ka shprehur potencialin e tij të plotë dhe jam i sigurt që tek ekipi i Gattusos do të  gjejë një vlerë të shtuar për të shfaqur gjithë kualitetin që zotëron. Ka goditur disa herë shtyllën këtë sezon, por mund të përmirësohet edhe në aspektin e shënimit të golit.

Amir është shumë i shpejtë, është një mbrojtës i kompletuar dhe nuk besoj se do të ketë probleme për të luajtur në mbrojtjen me katër. Ai është shumë inteligjent në aspektin futbollistik dhe puna me Gattuson do e përmirësojë edhe më shumë”.

KUMBULLA – “Napoli pati realisht një interesim të madh për të, por koha ishte shumë e shkurtër dhe lojtari preferoi të marrë më shumë kohë për t’u menduar. Ky është shkaku i vetëm pse nuk u transferua te Napoli. Tani janë disa klube që interesohen për të. Marashi është një djalosh i talentuar dhe është i destinuar të bëjë një karrierë në klube të mëdha. Kaq mund të them për të”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!