Ronaldo zhgënjen “Pleshtin”, dëmtimi i “luzitanit” zbeh “kërcimin e fundit”

schedule17:56 - 31 Janar, 2024

schedule 17:56 - 31 Janar, 2024

Pas anuluan dy miqësoret e planifikuara për t’u zhvilluar në Kinën e largët, “gjigantët” e Al-Nassr do të zhvillojnë të enjten një përballje tejet të rëndëishme, në kuadër të “Ryad Season Cup”, ndaj amerikanëve të Inter Miami, skuadër pjesë e së cilës është edhe “Pleshti”, Lionel Messi, teksa prej kohësh në media përballja ndaj skuadrës së Cristiano Ronaldo konsiderohej si “kërcimi i fundit”, me dy “yjet” e futbolli që do të përballeshin ndoshta për herë të fundit në karrierën e tyre futbollistike.

Mirëpo, kjo përballje e shumëpritur fatkeqësisht nuk do të zhvillohet për të njëjtën arsye që shtynë edhe miqësoret kineze, ndaj Shangai Shenua e Zhejiang. Bëhet fjalë për mungesën e 5 herë fituesit të “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, me këtë të fundit, që nuk është riaftësuar plotësisht nga dëmtimi i pulpës së majtë që e mundon prej disa javësh.

Mungesën në përballjen e shumëpritur me skuadrën e Inter Miami e konfirmoi edhe tekniku i Al-Nassr, Luis Castro, i cili në konferencën për shtyp, në prag të kësaj sfide u shpreh se Ronaldo do të mungojë në sfidën e së enjtes, megjithatë ka qetësuar tifozët për përballjet e mbetura të sezonit, teksa shtoi se rikthimi i “luzitanit” është afër.

“Ronaldo është në pjesën e fundit të procesit të rikuperimit dhe më pas do t’i bashkohet grupit. Shpresojmë që në ditët në vijim të fillojë punën me skuadrën. Ai do të mungojë nesër”,- u shpreh gjatë konferencën për shtyp 62-vjeçari portugez. /i.m /abcnews.al