Kristiano Ronaldo u shpall fajtor nga gjykata spanjolle për shmangie nga taksat, por i shpëtoi burgut. Ylli i Juventusit do të paguajë thjesht një gjobë të madhe ndaj shtetit spanjoll.
Ligji është shkruar në mënyrë të tillë, që ta ndihmojë këtë kategori.
Kristiano Ronaldo u dënua saktësisht me 23 muaj burg nga gjykata spanjolle, për shmangie nga taksat, veçse çdo vendim i tillë me më pak se dy vjet, kur bëhet fjalë për krime jo të rënda, e shpëtojnë të dënuarin nga qelia.
Superylli portugez u paraqit në gjyq në Madrid, me syze të zeza, dhe në krah të shoqes së tij, Georginës, ndërsa u përpoq të dukej i qetë.
Ai iu përgjigj fare shkurt ngacmimeve të gazetarëve, ndërsa akordi me gjykatësit ishte arritur.
CR7-ta pranoi se kishte shkelur ligjin duke mos paguar rreth 15 milionë euro taksa ndaj shtetit spanjoll, dhe gjykata e dënoi me 23 muajt e burgut, që nuk do ta bëjë, dhe me 18.8 milionë euro gjobë.
Pas vendimit, gazeta spanjolle “Marka” e ngacmoi me titullin: Pasarela e Kristianos me Georginën, për t’u dënuar: Gjithçka, perfekte!
“La Gazeta delo Sport” në Itali ishte më e thatë: Kristiani, blic në gjykatë, 18 milionë dhe rasti mbyllet!
“Dhë Gardian” në Angli tregoi se Ronaldo ra dakord vetë që të paguante 19 milionë euro, për t’i dhënë fund gjyqit për taksat.
Gjyqi kishte vite që vazhdonte, ndërsa ish-lojtari i Realit ishte shmangur nga taksat duke përdorur një kompani në Ishujt Virxhinia për të fshehur të ardhurat e tij të plota në Spanjë.
Besohet se ai fshehu të ardhurat nga e drejta e imazhit.
Vendimi mund të jetë një lehtësim për yllin e Juventusit, i cili gjithsesi do të ketë edhe një gjyq tjetër, atë për përdhunimin e dyshuar të një ish-modeleje amerikane. /abcnews.al