Gjithçka nisi nga ky udhëtim për në Skandinavi. Kristiano Ronaldo ishte sërish në radhët e Portugalisë për ndeshjen e Ligës së Kombeve në Norvegji.
Pasi luajti titullar, por nuk shkëlqeu në fitoren 1-0 kundër Uellsit, u la në stol nga trajneri Zhorge Zhezus në Oslo, dhe pas kësaj shpërtheu skandali.
Legjenda 41-vjeçare braktisi grumbullimin e kombëtares në Kopenhagen, ku ndodhet për ndeshjen tjetër të Ligës së Kombeve, atë ndaj Danimarkës, dhe nuk dihet nëse do të kthehet më.
Vetë superylli doli me një postim në rrjetet sociale ku shkruajti se e mori vendimin pas konferencës së shtypit të selektorit Zhezus, dhe pas një bisede me presidentin e Federatës.
“Do të flas në kohën e duhur”, ishin gjithashtu fjalët në mesazhin e tij.
Çfarë ndodhi?
Pak orë më parë, Zhezus u pyet në konferencë për shtyp për rastin Ronaldo, dhe u përgjigj se në kombëtare vendos trajneri, dhe se nëse Kristiano do t’i duhet, do ta aktivizojë, dhe nëse nuk do t’i duhet, do ta lerë në stol.
E përditshmja sportive portugeze, “O Zhogo” shkruan se CR7 u ndje I tradhëtuar dhe se nuk do të kthehet më kurrë te Portugalia.
Ai jo vetëm që u la në stol nga trajneri në Oslo, por edhe bëri nxemje 20-30 minuta, por përfundimisht nuk hyri në fushë, e Zhezus pranoi se kjo nuk I pëlqen askujt.
Duhet të presim për të parë fundin e kësaj historie, por duket se kjo në Norvegji paska qenë hera e fundit që Ronaldo paska qenë pjesë e kombëtares, dhe ajo në Uells, hera e fundit kur paska shkelur në fushë.
Legjenda e futbollit ka 234 ndeshje për Portugalinë, një rekord botëror, dhe ka shënuar 146 gola, po ashtu rekordi botëror për të gjitha kohët.


