Ceremonia e hedhjes së shortit të Championsit nuk kaloi pa polemika dhe pa momente të vështira. Cristiano Ronaldo e bojkotoi, ndërsa nuk u shpall lojtari më i mirë i Europës.
Shkëlqimi ishte i madh, por njollat iu vunë më pas.
Një karrige ishte bosh në Sallën e shkëlqyer “Grimaldi” në Montekarlo.
Një nga ata që mund të quhen princa, Cristiano Ronaldo, mungoi në ceremoninë e hedhjes së shortit të Championsit, dhe të dhënies së çmimeve të UEFA-s për sezonin e fundit.
Arsyeja?
Ronaldo nuk shkoi në Principatë pasi, me shumë gjasë, u informua se fituesi nuk ishte ai.
UEFA vlerësoi me çmimin e lojtarit më të mirë të vitit ish-shokun e tij tek Reali, Luka Modriçin.
Mesfushori u veçua për kontributin e madh tek madrilenët për Championsin, por sidomos sepse udhëhoqi Kroacinë deri në finalen e Kupës së Botës.
Kjo gjë nuk i pëlqeu aspak Ronaldos dhe njerëzve të tij.
Vetë Cristiano zgjodhi të qëndronte në Torino, në stërvitje me Juventusin, dhe në shoqërinë e familjes në mbrëmje.
Drejtori i përgjithshëm juventin Bepe Marota, i pranishëm në short, deklaroi se “ky ishte vendim personal i Ronaldos”.
Më i rëndë reagimi i agjentit të portugezit, Jorge Mendes-it.
“Është qesharake që Modriç u shpall lojtari më i mirë, tha superagjenti, Ronaldo shënoi 15 gola në Champions dhe mbajti në krahë ekipin derisa fitoi kupën”.
Përveç mungesës së CR7-s dhe reagimit të njerëzve të tij, ceremonia pati edhe një moment tjetër të vështirë, kur Sergio Ramosi u kthye në vendin e tij, pasi mori çmimin e mbrojtësit të vitit në Europë.
Spanjolli preku në sup Mohamed Salahun, që ishte ulur para tij, dhe të cilin e dëmtoi në finalen e Championsit, duke krijuar polemika të mëdha.
U duk se Salahut nuk Ii erdhi mirë, ndërsa ylli i Liverpulit ishte në garë për çmimin e lojtarit të vitit.
Vetë shorti ishte spektakolar, me grupin C, që mund të quhet “i ferrit”, pasi aty ndodhen Paris SG, Napoli e Liverpool-i, ndërsa me më pak pretendime duket Crvena Zvezda.
Edhe grupi B, aspak i lehtë, me Barcelonën, Tottenham-in, dhe Interin, ndërsa aty është edhe PSV Eind’hoven, ish-kampion i Europës.
Ronaldo dhe Juventusi do të ndeshen me Manchester Unitide e Jose Mourinho-s.
Portugezi do të jetë përballë skuadrës që e bëri yll botëror, dhe po ashtu do të takojë ish-trajnerin e tij tek Reali, me të cilin nuk është se u nda shumë mirë./abcnews.al