Ish-kandidati presidencial për republikanët, Mitt Romney ka nisur jo zyrtarisht garën për zgjedhjet presidenciale të 2020-s. Në një artikull të publikuar në Uashington Post ai shkruan se Donald Tramp nuk është në lartësinë e duhur për të qenë kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Mitt Romney nuk ka hyrë ende zyrtarisht në Senatin amerikan, por ka filluar tashmë sulmin ndaj presidentit amerikan Trump duke e cilësuar jo në lartësinë e duhur për postin që mban. Ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë me anë të një mesazhi në Twitter i është përgjigjur ish-kandidatit presidencial republikan duke i thënë se kishte fituar dhe se të gjithë republikanët duhet të jenë të lumtur e të luftojnë si një skuadër.
Përplasja në distancë nisi nga artikulli që senatori i sapozgjedhur i Utah publikoi në Uashington Post. Romney shkruan ndër të tjera se Donald Trump nuk ishte zgjedhja e tij për emërimet presidenciale republikane në vitin 2016. Në kuadër të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2020, Donald Trump duhet të përballet me një pjesë të republikanëve që nuk ka qenë asnjëherë në anën e tij.
Por ka dhe republikanë të tjerë të cilët komentojnë se asnjë president republikan emërimi i të cilit është kundërshtuar, është rizgjedhur për një mandat të dytë. Madje qëndrimi i Romney konsiderohet si një tradhti politike e llogaritur mirë. Këta të fundit e konsiderojnë luftën brenda radhëve të republikanëve si një avantazh më shumë për demokratët./abcnews.al