Elseid Hysaj dhe Etrit Berisha janë dy futbollistët e kombëtares ku e ardhmja mbetet e paqarte. Për mbrojtësin shkodran ka interes nga Roma ndërkohë që për portierin interesohet SPAL.
E ardhmja e mbrojtësit të Napolit, Elseid Hysaj mbetet ende e paqartë. 25-vjeçari kërkohet me ngulm nga skuadra spanjolle e Atletico Madrid, por se fundmi në garë për anësorin është futur edhe Roma.
Verdhekuqtë ende nuk e kanë bërë transferimin e parë në merkato, por pas zyrtarizimit të trajnerit Fonseka, do të nisë puna për elementet e rinj që do t’i bashkohen skuadrës.
Napoli kërkon 25 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin shkodran. Mbrojtësi shqiptar përfundoi në stol sezonin e kaluar dhe pas afrimit të Di Lorenzos shuhen shpresat për një vend në formacion.
Marrëveshja mund të konkretizohet lehtësisht në rast se mbrojtësi i Romës Manolas pranon të transferohet te Napoli që kërkon me çdo kusht nënshkrimin me futbollistin grek.
E paqartë mbetet edhe e ardhmja e portierit të kombëtares shqiptare Etrit Berisha. Gardiani që aktivizohet me Atalantën në Serie A kërkohet nga skuadra e SPAL që i ofron vendin e titullarit.
Berisha është paraqitur pozitivisht vitet e fundit me bergamaskët, por në sezonin që sapo përfundoi vendin e titullarit e mori Pierluixhi Golini. Trajneri i Atalantës Gasperini është në mëdyshje për ta mbajtur ose jo në organikën e skuadrës shtatlartin shqiptar duke ditur që potenciali që 30-vjeçari zotëron është i madh./ABC News Albania 24/7