Pas çerekfinaleve të para të Europa League dhe Champions League, UEFA ka përditësuar renditjen e klubeve dhe ligave. Italia ia ka dalë të thellojë distancën me Gjermaninë, edhe pse përfaqësohet vetëm me një skuadër në këtë fazë.
Roma është e vetmja italiane që vazhdon rrugëtimin në Europë. Skuadra e Marash Kumbullës mbrëmë ia doli të fitojë me përmbysje ndaj Ajaxit dhe të prekë numrin e 5 sukseseve radhazi në fazën finale të Europa League, duke shtuar ndjeshëm pikët për Serie A në renditjen e ligave.
Në grupin e vendeve që çojnë 4 skuadra në zonën Champions, Italia renditet e treta pas Anglisë dhe Spanjës, e shkëputur nga Gjermania, që është e fundit në renditjen e më të mirave.
Në klasifikimin e skuadrave, Roma ngjitet në vendin e 15, ndërsa Juventusi është skuadra e Serie A me pozicionimin më të mirë, e katërta pas Bayern Munchen, Real Madridit e Barcelonës. /abcnews.al