Kryeministri Edi Rama i rikthehet sërish debatit dhe replikave me Lulzim Bashën në lidhje me rolin e këtij të fundit në kohën që ishte pjesë e UNMIK-ut në Kosovë, pas disa akuzave të rikthyera dhe të ngritura javët e fundit, mes të cilave është edhe ajo e Milaim Bellanicës, një dëshmitar i masakrës së Krushës, që tha se kasetën me pamjet ia kishte dhënë liderit të PD-së.
“Lulëzim e bërë atë parti si leckë për këpucët e tua! Dil fol vetë për akuzat që nuk t’i bëj unë, po dëshmitarë të masakrave e të betejave për liri në Kosovë, që as i njoh as i kam takuar kurrë! Sharjet e akuzat ndaj meje nuk janë as argumenta, as shpjegime, po thjesht bishtnime” thotë Rama.
Lulzim Basha u shpreh javën e kaluar se gjithçka po bëhet për fushatë, por Edi Rama i cilëson si dokrra këto argumente, ndërsa shton se një kundërshtar si kryedemokrati është një lule që s’këputet.
“Në këtë mes unë kam vetëm rolin që më takon: Të të kërkoj t’i sqarosh publikut kush je ti në këtë mes dhe pse të kërkojnë ty dëshmitarët e nuk kërkojnë fjala vjen Stamo Dumon? Dhe lëri dokrrat me konspiracione parazgjedhore, se një kundërshtar si ti është një lule që s’këputet” shkruan Rama.
Por brenda shumicës jo të gjithë mendojnë njëlloj për këtë çështje që po ngrihet edhe një komision hetimor parlamentar nga PS-ja. Pandeli Majko i ftuar në studion e “ABC”-së u shpreh pak ditë më parë se kjo histori është retorikë politike përpara zgjedhjeve.
Debati për luftën e Kosovës dhe rolin e Lulzim Bashës në kohën që ishte pjesë e misionit të UNMIK-ut në Kosovë u rikthye në vëmendje pasi Haga arrestoi dhe po gjykon kupolën e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimit për krime lufte./ db/Abcnews.al