Kryeministri Edi Rama e sheh si të pazëvendësueshëm rolin e medias dhe e cilëson të neveritshme çdo sulm dhe kërcënim ndaj gazetarëve.
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Medias për Europën Juglindore, Rama u shpreh se qëndron në solidaritet me çdo gazetar që sulmohet dhe kërcënohet.
Sipas kreut të qeverisë, për shumë arsye, në ditët e sotme, gazetaria është bërë një përzierje shumë e madhe e së vërtetës dhe gënjeshtrës.
“Nuk mendoj që pyetja është nëse gazetaria do të mbijetojë. Unë besoj se nëse do të vijë fundi i botës, gazetaria do të jetë e fundit që vdes, nuk ka asnjë dyshim. Çështja është, a do të mbijetojë e vërteta? Unë besoj se ajo çka është në rrezik ditët e sotme nuk është gazetaria, por e vërteta, për shumë arsye sigurisht. Për shumë arsye, gazetaria është bërë një përzierje shumë e madhe tanimë e së vërtetës dhe gënjeshtrës, është një fakt. Sigurisht çdo sulm, çdo kërcënim ndaj gazetarëve, nuk ka asnjë diskutim që është diçka e neveritshme, por sa sulme bëjnë gazetarët çdo ditë ndaj njerëzve. E di që politikanët nuk janë njerëz, por megjithatë, ka edhe ca pjesë njeriu në çdo politikan, pra, jo shumë, por një dozë.
Politkanët kanë familje, fëmijë dhe unë jam plotësisht dakord dhe qëndroj në solidaritet me çdo gazetar që sulmohet dhe kërcënohet. Pyes veten çdo herë, sa shpesh qëllon që këto organizata gazetarësh të çohen kundër vetes, kundër kategorisë së tyre, individëve në grupin e tyre, të cilët në emër të të qenurit gazetar, i lejojnë vetes të bëjnë atë që kohë më parë ishte absolutisht jashtë çdo lloj përfytyrimi.
Ca vjet më parë, kishim disa përballje të jashtëzakonshme, për shkak të përpjekjes së partisë sonë në politikë, që të merrnim përpjekje për të rregulluar në mënyrë minimaliste median në internet dhe kjo përpjekje vazhdon të më ndjekë pas si hije, edhe pse u tërhoqëm, jo sepse kam ndryshuar mendje, por sepse solli një mosmarrëveshje krejt jashtë çdo përmase normale, kjo vijon ende të shfaqet si krim ideolgjik, vetë fakti që na shkoi ndërmend ishte problem i madh”, theksoi ai./abcnews.al