Nga Dr.Hasan Bello*
“O ju shqiptarë, vlleh e bullgarë që flisni tjetër gjuhë, gëzohuni dhe përgatituni të bëheni të gjithë grekër, duke braktisur gjuhën tuaj dhe zakonet tuaja barbare”
Në literaturën shqiptare për Danil Voskopojarin (1754-1825) jepen të dhëna të pakta. Nga kërkimet e deritanishme rezulton se kjo figurë para dhe pas viteve 90-të është trajtuar pozitivisht nga historianët e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Si “kampion sociologjik” për këtë iu referuam “Fjalor i pedagogjisë”, botuar nga Shefik Osmani në shtëpinë botuese “8 Nëntori” në vitin 1983, i cili ka të bëjë me arsimin dhe shkollat si institucione socializuese ku përgatiten elitat. Në faqen 710 të këtij fjalori gjendet edhe zëri përkatës, ku shkruhet se “Danil Voskopojari ishte një nga mësuesit e Akademisë së Voskopojës. Ai njihet edhe me emrat “Mjeshtri Dhanil” ose “Dhanil Mihal Adam Haxhiu”. Sipas fjalorit, ai përgatiti dhe botoi tekstin “Mësime fillestare…” (“Eisagogiki didaskalia”, Venedik, 1802), i cili ka karakterin e një teksti mësimor.
Përfshirja në këtë tekst me përmbajtje fetare të njohurive elementare për aritmetikën, fizikën dhe të këshillave moralizuese për nxënësit nga njëra anë, si dhe të bisedave në katër gjuhë: greqisht, arumanisht, bullgarisht, shqip dhe e një fjalorthi në gjuhët e mësipërme, nga ana tjetër, -sipas fjalorit, -përbën një material me interes pedagogjik për kohën si nga ana didaktike ashtu edhe nga ana gjuhësore.
Qëndrimi i D.Voskopojarit në përmbajtjen e kësaj vepre paraqitet kontradiktor. Nga njëra anë, “ai, me të drejtë, revoltohet kundër kadilerëve, pashallarëve e arhondëve dhe vlerëson njerëzit e punës, kurse nga ana tjetër, nuk mban qëndrim të drejtë ndaj gjuhës amtare dhe rëndësisë që ka ajo për edukimin e ndjenjave kombëtare”. Pas këtij përshkrimi të shkurtër të veprës së Danil Voskopojarit autori i fjalorit, në përputhje me frymën e kohës përqëndrohet në analizën klasore të veprës. Megjith mangësitë që ka, gjithësesi ai përpiqet të nxjerrë në dukje jo ashtu siç duhet qëndrimin e D.Voskopojarit ndaj gjuhës shqipe. Qëndrim të cilin pak më poshtë e katranos për ta fshehur të vërtetën. Kjo ndoshta dhe padashje për shkak të mungesës së informacionit, gjë, për të cilën nuk jemi të sigurtë. Ai shkruan se “Librin e Dh.Voskopojarit me vlera praktike për mësimin e gjuhës populli i atij pellgu në kushtet e ndalimit kategorik të botimeve në gjuhën shqipe, duke mos pasur mundësi të tjera, e përdori si një mjet të përshtatshëm për të mësuar shkrimin e gjuhës amtare shqipe. Kështu, teksti i tij shërbeu për popullarizimin e gjuhës shqipe”. Por si qëndron e vërteta?
Në vitin 2011 “Fjalor katërgjuhësh” i Danil Voskopojarit u botua për herë parë edhe në Tiranë. Ky fjalor është përgatitur nga Niko Stylos dhe përmban fotokopjen e origjinalit, bashkëngjitur me një hyrje dhe shpjegime.
Fjalori katërgjuhësh sipas Niko Stylos “është pjesë e librit me titull “Hyrje në mësimdhënie”. Kjo pjesë, e përbërë nga një tërësi prej 36 faqesh, dhe me të cilën do të merremi në këtë libër përmban, siç shkruan autori, “Fjalorin katërgjuhësh të katër dialekteve popullore, pra të romejes së thjeshtë (greqishtes moderne), të vllahishtes, të bullgarishtes dhe të shqipes”. Se kur qarkulloi për herë të parë libri “Hyrje në mësimdhënie” është e vështirë ta themi me siguri, sepse kopje janë ruajtur vetëm nga botimi i dytë, që siç e shikojmë nga fotokopja është bërë më 1802. Ky fjalor është botuar edhe në librin e W.M.Leake-s “Kërkime në Greqi” në vitin 1814 në faqet 383-402, duke i shtuar edhe një shtyllë në gjuhën angleze”.
Në faqen 14, Niko Stylos shkruan se do të përpiqet “me kritere të pastra shkencore jo vetëm të dëboj të paktën pak nga terri që ka rënë mbi këtë temë, por edhe të hap rrugën për studimin e kësaj teme”. Mirëpo megjithëse u përpoqëm ta shqyrtonim me kujdes të gjithë fjalorin, vumë re se disa “rreshta” edhe në këtë botim, nuk ishin vendosur. Mos vallë është koicidencë? Apo një përpjekje për ta fshehur të vërtetën? Për këtë iu referuam studimit të Prof.Gaetano Petrota “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare” botuar në Palermo në vitin 1932 ku jepen të dhëna të detajuara edhe për Danil Voskopojarin.
Sipas Prof.Petrota-s punimi i priftit Daniel është një vëllim prej tetë faqesh të panumëruara dhe 92 të numëruara. Në faqen e parë të panumëruar gjendet titulli i gjatë i shkruar në gjuhën greke: “(greqishte moderne, vllahishte, bullgarishte, shqipe) vepër e hartuar nga mësuesi, ikonom dhe prift predikues Danieli i Voskopojës për përdorim nga të rinjtë që flasin gjuhë tjetër, e plotësuar me shumë njohuri të dobishme dhe kushtuar mitropolitit të Pelagonisë, ekzark i të gjithë Maqedonisë bullgare, Nektarit, me shpenzimet e të cilit është dhënë për shtyp për dobi të eparkiotëve të devotshëm të krishterë të tij. Viti 1802”. Në faqen 5 dhe 6 të fjalorit, sipas këtij studimi, gjendet një seri prej 24 dyvargëshish të rimuar në greqishten moderne, siç është i shkruar i gjithë libri.
Në këto vargje shprehet qartas qëllimi që ka ndërmend autori me punën e tij, domethënë helenizimin e rumunëve, bullgarëve dhe shqiptarëve. Ai, që në vargjet e para drejton thirrjen: “O ju shqiptarë, vlleh e bullgarë që flisni tjetër gjuhë, gëzohuni dhe përgatituni të bëheni të gjithë grekër, duke braktisur gjuhën tuaj dhe zakonet tuaja barbare”; dhe me këtë tonalitet shkon deri në fund të veprës, duke mburrur zellin e madh të mitropolitit Nektar për përhapjen e helenizmit.
Me të drejtë Prof.Petrota konkludon se, ashtu si vepra e Teodor Kavaljotit “Mësimet e para” e vitit 1770 ku gjendet një fjalor greqisht-arumanisht-shqip me rreth 1200 fjalë shqip edhe kjo e Daniel Voskopojarit është një ndër të shumtat kushtuar shkollave të fëmijëve, por me të cilat, autorët, që ishin priftërinj të kishës dhe mësues të shkollave greke, punonin për propogandë heleniste.
Ne nuk jemi kundër botimit të fjalorëve shumë gjuhësh të hartuar në kohëra të ndryshme nga këta autorë, të cilët edhe sot mund të kenë vlera leksikografike për dialektet apo nëndialektet e gjuhës shqipe. Madje edhe në rastet kur këto fjalorë janë hartuar nga personalitete të njohur si armiq të kombit shqiptar. Por, ama nuk mund të lejojmë që biografia e këtyre personaliteteve të na censurohet, pastrohet dhe llustroset me bojën e patriotizmit, iluminizmit apo shqiptarizmit. Të botosh një fjalor me aq shumë përkujdesje, e të mos vendosësh thirrjen e autorit drejtuar lexuesve, më e pakta është mungesë etike, jo shkencore dhe ngre hije dyshimi…!
Kjo është një dukuri shumë e përhapur edhe për disa protagonistë të historisë sonë kombëtare. Ribotimi i veprave të tyre i është nënshtruar një “spatrimi”, në raport me qëndrimet politike dhe idelogjinë zyrtare. Për pasojë, biografia e tyre në zërat enciklopedikë, historinë e letërsisë shqipe dhe botime të tjera të karakterit shkencor e didaktik, jepet e deformuar. Prandaj nuk janë të rralla rastet kur “miqtë” i konsiderojmë “armiq” dhe këta të fundit “miq”./abcnews.al