Roja i sigurisë së Johnny Depp ka dëshmuar në seancën e sotme që po mbahet në gjykatë. Travis McGivern ishte dëshmitari i parë i thirrur të hënën, ndërsa gjyqi për shpifje mes ish-çiftit të famshëm ka hyrë në javën e katërt. Ai ka kujtuar një moment ku Amber Heard ka fyer dhe goditur aktorin gjatë një zënke në apartamenti e tyre në Los Angeles.
Roja i sigurisë përshkroi se si grindjet mes ish çiftit u përshkallëzuan në mars 2015, kur ata u kthyen nga Australia dhe se si u detyrua të ndërhynte kur debati u kthye në një dhunë fizike. “Në një moment isha dëshmitar ku Heard hodhi një kanaçe Red Bull ndaj Depp. U afrova më shumë me zotin Depp. Nuk doja që klienti im të goditet me ndonjë gjë tjetër.
Unë qëndrova pranë Depp. Sulmi verbal ka vazhduar, nga të dy. Ai ishte i zemëruar dhe i shqetësuar. Zonja Heard hodhi diçka tjetër, një çantë që kishte atje lart. Unë munda ta rrëzoja, kështu që nuk e goditi. Ajo e pështyu.”, tha ai mes të tjerash. Më herët u raportua se Heard ka shkarkuar ekipin e saj për marrëdhënies me publikun.
Sakaq, është ndërmarrë dhe një peticion për largimin e Heard nga Aquaman 2 dhe janë mbledhur 3 milionë nënshkrime. Depp ka paditur ish-gruan për 50 milionë dollarë duke pretenduar se i ka dëmtuar karrierën pas një shkrimi që shkroi për Washington Post të vitit 2018. Heard, e cila nuk e përmendi kurrë emrin e Depp në veprën e saj, shkruante se ishte një e abuzuar në familje.
/abcnews.al