RMV voton të dielën qeverinë/ Rama: Ali Ahmeti dha një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë

schedule17:05 - 27 Janar, 2024

schedule 17:05 - 27 Janar, 2024

TIRANË- Maqedonia e Veriut të dielën pritet të zgjedhë qeverinë e re teknike me kryeministër të parë shqiptar Talat Xhaferin. Për këtë ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka një mesazh vlerësimi për kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

Shefi i qeverisë shqiptare shkruan në platformën “X” se Ali Ahmetit mund t’i bëhen shumë kritika brenda vendit, sepse është e drejta e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga partitë në pushtet, por në aspektin e përparimit të të drejtave të shqiptarëve në vendin fqinj shton Rama, Ahmeti ka bërë shumë me aktet e tij politike.

Sipas Ramës, Ali Ahmetit, me afirmimin e shqiptarëve si qytetarë të barabartë në Maqedoninë e Veriut dha një leksion historik për të gjithë politikanët, por dhe për brezat që do vijnë më pas. Ai ka ndarë një foto, ku Ali Ahmeti dhe Talat Xhaferi shfaqen së bashku duke shtrënguar duart.

“Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet… Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë! E duke parë foton bashkëngjitur të një tjetër arritjeje historike të lidershipit të Ali Ahmetit, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”; kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto”, shkruan Rama.

Talat Xhaferi, pas votimit të dielën, pritet të drejtojë qeverinë e re teknike për 100 ditët e ardhshme./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!