Rivlerësimi i 4672 vendimeve të pronave rrit kompensimin me 160 milionë euro

schedule07:18 - 20 Shkurt, 2023

schedule 07:18 - 20 Shkurt, 2023

Ligji 77 i vitit 2022 që hyri në fuqi në fund të vitit të shkuar pas reflektimit të disa ndryshimeve që kishin të bënin me vlerësimin financiar të pronave ka rritur detyrimin që duhet të paguhet ndaj ish-pronarëve.

Agjencia e Trajtimit të Pronës vlerëson se ndryshimet ligjore rriten me 10 për qind vlerësimin financiar të zërit kadastral aktual duke bërë që për 4672 vendime të ketë një vlerë financiare prej 160 milionë euro.

ATP ka sqaruar se ligji Nr. 77/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” u botua në Fletoren Zyrtare nr. 168, datë 15.12.2022 dhe hyri në fuqi 15 ditë pas botimit.

“Theksojmë se gjatë periudhës së hartimit të ndryshimeve të ligjit, në ATP, Sektori i Kompensimit vijoi punën në zbatim të pikës 16/4 të VKM nr. 223/2016 e ndryshuar me VKM nr. 1114/2020, e cila u miratua si rekomandim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen Beshiri kundër Shqipërisë, duke kryer përllogaritjen e vendimeve që kanë njohur të drejtën e Kompensimit, bazuar me vlerësimin financiar me 10% të zërit kadastral aktual.

Sipas një analize paraprake rezulton që preken rreth 4672 vendime dhe do të përfitojnë një vlerë financiare afërsisht 18.5 miliardë lekë. Vendimet përfundimtare me vlerën e tyre përkatëse do të publikohen në Buletinin Zyrtar” thuhet në dokument.

Agjencia e Trajtimit të Pronës bën me dije se gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2022, ka vijuar puna lidhur me pranimin e aplikimeve të reja të reja për Kompensim Financiar, Fizik, Kompensimin me Kërkesë të Veçantë si dhe aplikimet për Ndërtimet Informale (ALUIZNI) nga të cilat: 24 aplikime janë për Kompensim Financiar, Fizik dhe me Kërkesë të Veçantë; 966 aplikime janë për Ndërtimet Informale (ALUIZNI) nga të cilat janë trajtuar 244 dosje.

“Vlera e shpërndarë për 244 dosjet e mësipërme është 553.8 milionë lekë. Në lidhje me kompensimin me Kërkesë të Veçantë janë trajtuar 209 dosje, ku janë lëvruar këstet e radhës II, III, IV dhe V për aplikime të bëra ndër vite. Vlera e shpërndarë e kësteve të mësipërme është 694.5 milionë lekë. Nga hyrja në fuqi e Ligjit Nr. 133/2015 deri në 31 Dhjetor 2022, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka ekzekutuar 794 vendime me një vlerë prej 7.8 miliardë lekë” nënvizon ATP.

Ligji Nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” nisi të zbatohej si një formë për ti dhënë fund ankimimeve që përfundonin në gjykatën ndërkombëtare për të drejtën e pronës duke respektuat një formë të drejtë kompensimi.

Po për këtë ligj pati kundërshtim nga shoqatat dhe çështja përfundoi tek Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit në datë 15.02.2021, për shfuqizimin e disa pikave të ligjit ekzistues çka bëri që pezullohej procesi i Kompensimit Financiar i vendimeve përfundimtare dhe hapi rrugën për hartimin e ndryshimeve ligjore./Monitor