Dygolëshi i Luis Suarez përmbysi Interin dhe i dhuroi një fitore jetike Barcelonës në Champions. Trepikësh qetësie për kampionët e Spanjës dhe Ernesto Valverden. Pozitat e trajnerit ishin lëkundur pas nisjes jo të mirë të sezonit të ri.
Fitorja me Interin është një hap pozitiv, por drejtuesit e klubit katalanas nuk janë bindur plotësisht nga trajneri. Valverde është ende nën testim dhe TNT Sports zbulon edhe të preferuarin e Barçës për stolin. Ai është Marcelo Gallardo, trajneri i River Plate.
43-vjeçari po bën një punë fantastike me ekipin argjentinas dhe është pranë triumfit të radhës në Kupën Libertadores. Trofeun më të rëndësishëm për klube në Amerikën Latine e ka fituar në vitin 2015 dhe sezonin e kaluar.
Riveri i tij u përplas sivjet prapë me Boca Juniors në gjysmëfinale dhe sfidën e parë e ka fituar 2-0 në Monumental. Finalja është një hap larg dhe Barcelona bën tifo për ekipin “Millonarios”… Gallardo është afër fitimit të trofeut për herë të dytë rresht (Boca Juniors e Carlos Bianchit në vitin 2000 dhe 2001 është ekipi i fundit që e ka fituar dy herë rresht).
Një tjetër sukses i Gallardos do ia lehtësonte ndërprerjen e kontratës me Riverin (i përfundon në vitin 2021) dhe do i mundësonte transferimin në Evropë. Finalja e madhe e Libetadores, që për herë të parë do të shpallë fituesin me 1 ndeshje teke, zhvillohet me datë 23 nëntor dhe Valverde mund të qëndrojë i qetë në stolin katalanas. /abcnews.al