“Rithemelimi”: Nesër mblidhet për herë të parë Këshilli Kombëtar, mbajmë qëndrimin për Presidentin

schedule13:40 - 5 Maj, 2022

schedule 13:40 - 5 Maj, 2022

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit ka njoftuar sot përmes Edi Palokës se nesër do të mblidhet për herë të parë Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat, Paloka njoftoi se Këshilli Kombëtar do të mblidhet në orën 18.00 dhe gjatë kësaj mbledhjeje do të zgjidhet edhe kryetari i këtij organi të PD-së.

“Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, për momentin ushtrues i kompetencave të Kryesisë së PD dhe kryetarit, ka vendosur thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar të PD, më 6 maj, ora 18.00. Qëllimi i mbledhjes, përveç konstituimit të Këshillit Kombëtar është edhe përcaktimi i një qëndrimi politik të PD lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.”

Ndërsa Enkelejd Alibeaj ka thirrur sot një mbledhje të Grupit Parlamentar të PD-së, Paloka theksoi se Këshilli Kombëtar është i vetmi organ që mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të Partisë Demokratike lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur më herët edhe zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit Floriana Garo.

Sipas saj, Enkelejd Alibeaj nuk përfaqëson as PD dhe as Grupin Parlamentar pasi është shkarkuar në Kuvendin e fundit të kësaj partie. Garo u shpreh se Alibeaj po përpiqet të zgjedh nën dorë Presidentin e Edi Ramës.

“Me urdhër të Edi Ramës, Basha dhe Alibeaj shuan akoma pa u mbledhur Komisionin Hetimor parlamentar për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Qëndrimi i PD për Presidentin është i qartë. PD angazhohet vetëm nëse mazhoranca pranon kandidatin e  propozuar nga PD. Është akt i paligjshëm mbledhja e grupit parlamentar. Rithemelimi u bën thirrje deputetëve të PD që të mos bien pre e lojërave me fasadë opozitë. Thirrja e mbledhjes përbehet vetëm nga kryesia e grupit.”  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!