“Rithemelimi” mori kontrollin e grupit të “Whatsapp” së PD-së, Specialist i zyrës së medias: Partia nuk është plaçkë e askujt

schedule09:20 - 29 Mars, 2022

schedule 09:20 - 29 Mars, 2022

Specialist i zyrës së medias, i Partisë Demokratike, Patrik Sadikaj, një ditë pasi është hequr nga grupi i punës “Whatsapp”, që shërbente për komunikimin me median, ka bërë një reagim lidhur me kë fakt. Sadikaj në reagimin e tij vë në dukje se e kanë hequr jo vetëm nga grupi i Whatsapp, por edhe nga puna.

Gjithashtu ka një thirrje për të gjithë ata persona të cilët në PD nuk kanë punuar për partinë por për interesat e tyre personale.

Ndërkohë kujtojmë se pjesë e këtij grupi ishin anëtarë të Partisë Demokratike dhe mbështetës të ish kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Nuk e kisha në plan të reagoja fare, por heqja ilegale nga grupi i punës në Whats App që mundësonte komunikimin me median, më detyroi të them nja dy fjalë si sqarim.

Jo për tu qarë e as për tu ankuar. Fundja nga PD nuk më heqin dot ata që me PD kanë lidhje krejt tjera nga ato politike, shpirtërore e morale.

Reagimin e kam për gjithë ata demokratë që sot kanë përfunduar në dorë të disa njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Në dorë të atyre, që kur unë burgosesha, rrihesha e kërcënohesha nga policia dhe bandat e pushtetit të vitit 98-99, ata i gëzoheshin benefiteve që u jepnin bijtë e pushtetit.

Demokratët e dinë se shumë prej atyre që sot më fshijnë mua në mënyra komuniste, ilegale, pa thënë asnjë fjalë, janë aty jo se janë demokratë. Gjithkush e di se ata skanë asnjë lidhje me PD e që deri dje ishin në barrikadën e kundërt me demokratët.

Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar të PD i votuar nga shumica dërmuese e demokratëve në 2 mandate dhe i kam shërbyer Partisë Demokratike, pa asnjë kursim dhe pa e parë emrin e kryetarit. Madje kam qenë kritik ndaj tij, kur këta që sot flasin në emër të PD, lëpiheshin korridoreve dhe paradhomave për ti fërkuar krahët dhe duke më sulmuar mua e të tjerë që mendonin si unë.

Historia ime në PD, është më e madhe sesa interesi i atyre që duan pushtetin e PD, jo të mirën e PD. Kur unë punoja për të mirën e PD, disa prej tyre punonin kundër meje e kundër PD. E pavarësisht kësaj, unë as u bëra deputet e as ministër. Por prapë isha aty, duke punuar për PD, dhe këtë ata që fshihen pas makijazhit të bukur të ndonjë fasade, e dinë fort mirë se me disa prej tyre kam qenë krah për krah.

Gjithsesi, emrin mund të ma fshijnë nga grupi i whatsap, normalisht edhe nga puna mund të më heqin (në fakt e kanë bërë), por ama një gjë nuk ma heqin dot: të qenurit demokrat.

Këtë nuk ma merr dot askush, qoftë edhe një njeri që lidhjen e vetme me PD ka diçka krejt tjetër veçse të mirës së PD. Mbase interesa të fshehta apo edhe jopolitike. Kush e di.
Pasqyra në zyrën që më kanë marrë besoj do tu shërbejë të shihen në të e të përballen me fytyrën e tyre reale…

Unë kam jetuar me djersën e ballit dhe me asnjë djersë që del prej pjesëve të tjera të trupit dhe ashtu do të vazhdoj të jetoj për të mos i lënë asnjë hije të keqe fëmijëve të mi, që mbase nuk u garantoj asnjë luks, por ama dinjitet po.

PD NUK ËSHTË PLAÇKA E ASKUJT DHE SI E TILLË I TAKON VETËM DEMOKRATËVE“, shkruan ai. /abcnews.al