Andrea Mano, demokrati i cili do të zërë vendin e Ervin Salianjit në kuvend, tre vite pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Korçë thotë se rikthehet si pjesë e kësaj force politike për të kontribuar, pavarësisht emrit që e drejton PD. Opozitari thekson se përfaqëson Partinë Demokratike dhe qytetarët.
“Ajo që ne besuam të gjithë që pas largimit të ish kryetarit të Partisë Demokratike, riformatimi i Partisë Demokratike, reformimi i saj të themi më mirë ngjalli një shpresë dhe një pritshmëri të madhe si kudo edhe në qytetin e Korçës. Pavarësisht se ne që dhamë dorëheqjen nga ai kryetar partie u anatemuam si tradhtarë, u anatemuam si njerëz qe shkelin parimet e Pd- së. Me thënë të drejtën gjithë ajo pritshmëri që u krijua, fatkeqësisht ka mbetur vetëm pritshmëri”, tha Mano.
Mano flet për njerëzit e besuar dikur të Bashës, të cilët sulmonin Sali Berishës brenda pak kohësh u kthyen në tifozët më të fortë të tij. Sipas tij, këta komponentë po dëmtojnë opozitën.
“Pra këta njerëz që brenda një muaji ndryshojnë nga njëra anë në anën tjetër sigurisht që s’kanë më besueshmëri. Dhe kjo është ajo qasje që kjo PD dhe lideri sot duhet të ketë parasysh për gjithçka nëse do një projekt të ri, nëse do një qasje të re me qytetarët nuk mund të kesh njerëz që kalojnë nga njëra anë e lisharëses në anën tjetër”, shtoi ai.
Në pritje të marrjes zyrtarisht të mandatit pas plotësimit të formularit të dekriminalizimit, Andrea Mano kujtoi publikisht pazaret e vjetra të opozitës dhe largimin e tij për shkak të Ervin Salianjit.
“Të njëjtët njerëz që kanë bërë të njëjtat gabime dhe pastaj të vish të thuash na jepni votën se ndryshe folëm atëherë e ndryshe flasim tani.“
Në zgjedhjet vendore të 2021, Andrea Mano mori 5465 vota në qarkun e Korçës, ndërsa Salianji 9420 vota./abcnews.al