Duke marrë shkas nga situata e Covid-19 në Kosovë, Rita Ora ka dhënë një mesazh sensibilizues për bashkëkombasit e saj. Përmes UNICEF Kosova, artistja shqiptare me famë botërore apelon qytetarët të mbajnë maskën dhe të mos neglizhojnë masat me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.
“Jam shumë e shqetësuar që shumë njerëz në Kosovë janë infektuar me COVID-19. Ju lutem mbroni veten dhe të dashurit tuaj, vendosni maskën, ruani distancat dhe kujdesuni për higjienën personale.
Unë e vendos maskën time sa herë dal jashtë, në mënyrë që të vij sërish në Kosovë dhe të festoj me ju përfundimin e këtij virusi. Ndriçoni me dritën tuaj! Vendosni maskën. Ju dua!”, thotë Rita.
Kujtojmë që si ambasadore e UNICEF në Londër, Rita ka organizuar një koncert si dhe ndërmarrë një donacion online, me qëllim mbledhjen e fondeve për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve që janë prekur nga kriza e Covid-19. /abcnews.al/

