Racizmi në futboll është përhapur dhe po përhapet shumë. Lojtarë me ngjyrë po bien pre e koreve raciste të tifozëve të ndryshëm, sidomos në Premier League dhe Serie A. Për të goditur këtë fenomen negativ është krijuar një aplikacion në ishull, i quajtur “Fishkëllima e fundit”.
The Sun raporton se David Frazier dhe Rose Simkins, janë ideatorët e kësaj risie, që është krijuar për të filmuar, regjistruar dhe ndërhyrë në kohë reale gjatë ngjarjeve sportive. Të gjithë përdoruesit mund të fusin të dhënat e nevojshme për të gjurmuar dhe gjetur tifozët racistë, duke siguruar prova të rëndësishme për policinë.
“Problemi i urrejtjes në sport është i rëndësishëm dhe po punojmë me klubet për ta luftuar. Nëse dikush del jashtë kontrolli, aplikacioni mundëson regjistrimin e kohës, vendit dhe vetë personit që po kryen gjestin kriminal”, thekson Frazier. /abcnews.al