Risi në futbollin shqiptar, Kombëtarja e të amputuarve merr pjesë në Ligën e Kombeve

schedule10:16 - 18 Shtator, 2023

schedule 10:16 - 18 Shtator, 2023

Kombëtarja shqiptare e të amputuarve do të marrë pjesë turneun e Ligës së Kombeve, që do organizohet nga Federata Europiane e Futbollit për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA-n në Skoci në datat 27-29 tetor.

Ky kompeticion do të funksionojë njësoj si ai i UEFA-s dhe organizohet për herë të parë për futbollin e të amputuarve, ndërkohë që ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në katër divizione sipas renditjes së tyre, ku çdo divizion përbëhet nga 4 ose 5 ekipe, të cilat do të luajnë ndeshje me sistem grumbullimi pikësh.

Kombëtarja shqiptare e do të garojë në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për Amputuar së bashku me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë, me ndeshjet do të luhen në qendrën sportive Dalgety Bay, Fife, Skoci.

Skuadra e fundit në grup do të zbresë një divizion më poshtë, ndërsa skuadra që renditet e para do të ngjitet një divizion më lartë. Gjithashtu, turneu i Ligës së Kombeve është një shans për t’u kualifikuar për në finalet e Euro 2024 për të amputuarit.

Një lajm shumë i mirë për Kombëtaren shqiptare të të Amputuarve, e krijuar dhe mbështetur në çdo aspekt nga FSHF disa vjet më parë, duke zhvilluar edhe ndeshje miqësore ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe. Kjo skuadër merr pjesë për herë të parë në një turne madhor zyrtar në një kohë që lojtarët përgatiten e stërviten prej kohësh për këtë eveniment.

FSHF është e fokusuar në përgjegjësinë sociale që loja e futbollit ka për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Për t’u siguruar që do t’i shtojmë vlera pozitive shoqërisë, FSHF do të përdorë fuqinë e futbollit për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve, veçanërisht të kategorive të caktuara. Federata do të mbulojë të gjitha kostot për pjesëmarrjen e kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve të Futbollit për Amputuar. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!