Rishikimi i skemës së pensioneve/ Hado: Duhet një studim i thelluar, pastaj të vendoset për ndërhyrjet që do të bëhen

schedule14:33 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 14:33 - 4 Dhjetor, 2023

Reforma e skemës së pensioneve është në rishikim me qëllim që të gjendet një qasje, e cila të sheshojë diferencat e indeksimit vjetor të pensioneve. Ministri i Financave, Ervin Mete ka thënë se ndryshimet janë në fazën e konsultimit me Bankën Botërore dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë për “Money Report”, theksoi se së pari duhet bërë një studim i thelluar që mund të kërkojë kohë dpër të parë ecurinë e sistemit, për të parë problematikat dhe më pas të vendoset se cilat do të jenë ndërhyrjet që do të bëhen.

“Reformat e pensioneve nuk mund të bëhen shpejt e shpejt dhe pa realizuar disa studime të rëndësishme që kërkojnë kohë dhe njohuri. Ndaj po bashkëpunojmë me Bankën Botërore, FMN dhe qeverinë shqiptare për të realizuar një analizë të ecurisë së sistemit të sigurisë bazuar në reformën e fundit të 2014, për të parë se si ka performuar kjo skemë dhe nëse do të ketë ndërhyrje të caktuara, sa i përket qëndrueshmërisë financiare të skemës, sa janë kontributet e mbledhura dhe sa do të jetë deficiti i skemës.

Si do të jetë shkalla e zëvendësimit, masa e pensionit në raport me pagën mesatare. Pasi të dalë ky studim do të shikojmë se çfarë nevojash ka, ndërhyrjesh mund të bëhen dhe si do ecë. S’mund të themi dot sot.  Nuk ka një skenar të përpiluar sepse nuk mundemi dot që të themi se duhet kjo reformë ajo një tjetër pa u bërë këto studime. Duhet një lloj projeksioni dhe periudhë kohore afatgjatë nga 30-70 vjet. Nëse do të bënim arnime pa marrë në konsideratë tërësinë e sistemit, mund të rregullonim diçka dhe të prishim gjëra të tjera.

Nuk mund ta themi dot nëse qeveria duhet të vijë me një ligj të ri apo ndryshime të parametrave apo pjesëve të caktuara të sistemit pa dalë rezultatet e kësaj analize, sepse ndryshe do të ecnim në një terren të minuar pasi shifrat janë kokëfortë. Mbi bazën e këtyre produkteve do të reformohet skema e pensioneve. Mund të mos ketë ndryshime, por ndryshime të parametrave të caktuara për kategori të caktuara të punësuarish por jo se mund të ketë ndryshim rrënjësor sistemik të sigurimeve shoqërore.”, u shpreh ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!