Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Kosovë po vijon rinumërimi i votave.
Sipas rezultateve të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, janë rinumëruar mbi 1.700 vendvotime, nga 2557 që janë në total.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë.
Prokuroria ka njoftuar edhe nisjen e hetimeve per votimet ne Drenas.
Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja kishte parashikuar 19 janarin për shpallje të rezultateve përfundimtare.
Vendi është prej një viti pa institucione me mandate të plotë.
Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, ndërsa përmbyllja e shpalljes përfundimtare të rezultateve për zgjedhjet e 28 dhjetorit i ka tejkaluar afatet e parashikuara.
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.


