Pas ndërprerjes së proceseve gjyqësore për shkak të pandemisë më 25 mars me akt normativ, Ministria e Drejtësisë i kërkon qeverisë hapjen e gjykatave.
Ministria i propozon Këshillit të Ministrave që të ndryshojë aktin normativ për rinisjen e proceseve gjyqësore duke respektuar rregullat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në projekt-draftin e propozuar nga dikasteri i drejtësisë theksohet se nëse gjykatat në vend e kanë të mundur, gjyqet të zhvillohen online, nëpërmjet aplikacioneve të posaçme.
Për të shmangur grumbullimet në sallat e gjyqit, Gjykatat sipas projekt draftit mund të vendosin edhe nëse në procesin online të mund të jenë pjesë edhe palët si prokurori, avokati i shtetit, dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar.
Për këtë gjykata duhet tu sigurojë ndërlidhjen audio vizive.
Në këto raste provat, dokumentet shkresore si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten brenda ditës me postë gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.
LEXO edhe: KLGJ për Abc News: Gjyqet të pezulluara deri në fund të gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Pavarësisht propozimit të ministrisë së Drejtësisë, faktet tregojnë se deri më tani kjo praktikë në pjesën më të madhe të rasteve ka dështuar pasi të pandehurit kanë refuzuar të zhvillojnë gjyqet online.
Edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore gjatë Covid-19.
Për ABC News KLGJ thekson se për aq kohë sa është në fuqi akti normativ numër 9 i fatkeqësisë natyrore, veprimtaria e gjykatave nuk mund t’i kthehet funksionimit normal./abcnews.al