Gazsjellësi më i madh amerikan ka rinisur punën gjashtë ditë pas një sulmi kibernetik që ka ndalur punën e tij dhe ka rritur shqetësimet për furnizime të naftës në gjithë pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara.
Kompania Colonial Pipeline ka thënë më 12 maj se rinisja e punës nënkupton se do të duhen disa ditë që gjithçka t’i kthehet normales.
Kjo kompani ka njoftuar më 8 maj se ka qenë viktimë e një sulmi kibernetik, çka ka rezultuar me ndalje të operacioneve.
Ky njëherësh është konsideruar sulmi më i rëndë kibernetik në infrastrukturën energjetike të SHBA-së.
Gazsjellësi me gjatësi 8,850 kilometra transporton rreth 45 për qind të karburanteve në pjesën lindore të SHBA-së.
Së fundi në këtë pjesë është raportuar për mungesë të naftës, por edhe rritje të çmimeve të karburanteve, gjë që ka shqetësuar qytetarët amerikanë.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se rrjeti kriminal DarkSide, ka kryer sulmin kibernetik.
Ekspertë të kibernetikës besojnë se rrjeti ka bazën në Rusi apo Evropën Lindore, ku shërbime lokale të sigurisë mund të tolerojnë apo edhe të punësojnë këta kriminelë kibernetikë.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë më 10 maj se Rusia “ka përgjegjësi” për t’u deklaruar rreth sulmit, ndonëse nuk e ka fajësuar drejtpërdrejt Kremlinin.
Rusia ka hedhur poshtë përfshirjen në këtë sulm./REL