“Ringjallja” e Italisë, Mancini zbulon sekretin: Meritë e lojtarëve të rinj

schedule19:38 - 19 Nëntor, 2020

schedule 19:38 - 19 Nëntor, 2020

Roberto Mancini mori drejtimin e kombëtares italiane majin e vitit 2018, në një nga momentet më të vështira. Katër herë kampionët e botës kishin dështuar të kualifikoheshin në Botërorin Rusi 2018, duke prekur fundin.

Kritika, pesimizëm dhe atmosferë e rënduar, askush nuk besonte më te Italia, përveç Mancinit. Trajneri nisi punën kokulur, planin e “ringjalljes” e kishte të qartë, filloi t’u besonte lojtarëve të rinj në moshë dhe u harrua futbolli i vjetër klasik ultradefensiv.

Rezultatet pozitive nisën të vinin, talentet po rriteshin në fushën e blertë dhe skuadra e Mancinit po luante një futboll të bukur, modern dhe sulmues.

Situata nuk ishte aspak e mirë në fillimin e rrugëtimit tonë. Të gjithë ishin të dorëzuar dhe trishtimi për mos arritjen e kualifikimit në Botëror kishte krijuar një trishtim të madh“, kujton trajneri në prononcimin e dhënë në Samitin e Futbollit Social.

Vendosëm të ndryshonim, duke u bazuar te lojtarët e rinj me një potencial të mirë teknik, për të formuar në një kohë të shkurtër një Itali të fortë“. Ashtu ndodhi, madje edhe më shpejt sesa e kishte menduar tifozi më optimist i të kaltërve.

 

Italia duke festuar fitoren ndaj Bosnjës

Italia e Mancinit i mbylli me 10 fitore në po kaq ndeshje eliminatoret e Euro 2020, duke qenë kombëtarja e parë që siguroi kualifikimin në kompeticionin që u shty nga pandemia për verën e ardhshme.

Mbrëmjen e kaluar u arrit edhe vendi i parë në grupin 1 të Ligës A në Nations League pas fitores 0-2 në Sarajevë ndaj Bosnjës vendase, rezultati i 22-të pozitiv radhazi për Italinë (17 fitore dhe 5 barazime).

Djemtë kanë bërë një punë shumë të bukur, duke ia dalë të afrojnë tifozët sërish me kombëtaren. Edhe ndaj Bosnjës zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, konfirmuan se janë një grup shumë solid”, deklaron Mancini, i cili mungoi në stol në sfidat e muajit nëntor, pasi është infektuar me Covid-19.

Në fund Euro 2021, kompeticion që Mancini dhe Italia e kanë si objektiv ta fitojnë. “Ishim gati në verë, na erdhi keq që turneu u shty. Por, kjo është një mundësi më shumë për lojtarë të tjerë të rinj interesantë, të cilët mund të kenë një të ardhme të ndritur tek Italia ime“, përfundon 55-vjeçari. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!