Rindërtimi mbyllet në 2025/ Veliaj inspekton punimet në pallatet e reja në Kombinat

schedule14:24 - 13 Prill, 2024

schedule 14:24 - 13 Prill, 2024

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për projektin transformues në zonën e Kombinatit. Lagjja e re në këtë zonë do të ofrojë kushte të përshtatshme dhe bashkëkohore për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke shërbyer, po ashtu, si një qendër urbane me apartamente cilësore, objekte arsimore etj. Veliaj u shpreh besimplotë se 2025 do të jetë viti kur do t’i jepet fund problematikave që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore në kryeqytet, duke shtuar se projekti do të sjellë një ringritje cilësore për zonën e Kombinatit.

Qëllimi është të bëjmë një punë për së mbari! Na duhet që të shkojmë te mbi 1 mijë apartamente për ta mbyllur përfundimisht historinë e tërmetit dhe për t’u siguruar që viti buxhetor 2024-2025 është viti kur ne i japim fund një prej dramave më të mëdha, të cilën nuk e shkaktoi qeveria e bashkia, por natyra dhe mënyra si tërmeti solli shumë dëmtime. Pyetja është: jo si rrëzohemi, por sa shpejt dhe si ngrihemi. Në kohë rekord prej 5 vitesh dhe me një ngritje cilësore, me këto apartamente nuk fillon vetëm një shtëpi e re, fillon një jetë e re, një komunitet i ri dhe një lagje e re për Kombinatin tonë”, tha Veliaj.

Për kryebashkiakun, ky projekt është produkt i politikës së mirë dhe bashkëpunimit, me qëllimin për të realizuar punë dhe projekte konkrete në funksion të komunitetit. Ai falenderoi qytetarët për besimin dhe u bëri thirrje të mos lejojnë të përdoren nga politika e vjetër që, sipas tij, krijon vonesa të pafalshme. Sipas kreut të Bashkisë, zhbllokimi i procedurave gjyqësore dhe barrierave politike ka mundësuar realizimin në kohë rekord të projektit.

Ka një vit e gjysmë që kur u zhbllokuan ato gjyqe të mallkuara, kur na ‘ziheshin duart dhe këmbët’ me parti politike, që nuk kanë bërë ndonjë punë në jetë, përveçse të pengojnë të tjerët. Kur ne lejohemi të punojmë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme dhe shumë shpejt. Kjo është diferencë shumë e madhe mes dy botëve dhe mes dy mënyrave si e shohim politikën. Disa e shohin si mjet për bllokim, ne të tjerët e shohim si mjet për të bërë punë. Kjo është arsyeja pse Kombinati na votoi mbi 60% dhe kjo është arsyeja pse në kohë rekord, prej asaj vote u prodhua një rezultat kundër asaj politike të vjetër. Kur shikon Ilir Metën që vjen dhe proteston te Bashkia e Tiranës, duke puthur duart e atyre që bllokonin punimet, duhet të kujtojmë një gjë: Jargët e Ilir Metës do thahen, ndërsa këto pallatet këtu, do mbeten”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në dukje se projekti synon të realizohet me standardet më cilësore të infrastrukturës, ashtu si në çdo punë të projektuar nga Bashkia e Tiranës. Pas përfundimit të kolaudimeve dhe infrastrukturës bazike do të hidhet shorti publik për përzgjedhjen e njësive të reja të banimit, në objektet e ndërtuara në këtë zonë, siç është bërë më herët në rastin e banesave tek lagjja “5 Maji”.

Ne do bëhemi gati të hedhim shortin. Unë do pres 10-12 ditë, le të themi dy javë, që ju të mbaroni me kolaudimet, kolektorët, me lidhjet me ujërat e zeza, ujërat e bardha, ujërat e shiut. Pra, të mbaroni me gjithë infrastrukturën bazike, të hapim dy kampuset e para. Nëse shikoni, nuk dallon fare nga “5 Maji”. Në mos them që në çdo ndërtesë mësojmë diçka dhe bëjmë diçka më mirë se ndërtesa paraprake. Siç kemi bërë me shkollat, shkolla ‘Kosova’ ishte më e mira, pastaj ‘Partizani’ dhe ‘Samiu’ edhe më mirë”, theksoi Veliaj.

Zona e re që po ndërtohet në Kombinat do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm dhe strehim të përshtatshëm të banorëve të prekur. Në këtë zonë janë parashikuar të ndërtohen objekte banimi me 6 dhe 8 kate. Zona do të ketë sheshe urbane ndërthurur me banesa, pedonale dhe rrugë për biçikleta, ndërkohë që ndërtimi i banesave do të jetë i gërshetuar edhe me ndërtimin e objekteve arsimore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!