Këshilli i ministrave miratoi sot përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa si dhe mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta pallat në bashkitë Vorë dhe Lezhë për të prekurit nga tërmeti.
VENDIMI I PLOTE I QEVERISE
- Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 253 463 855 (dyqind e pesëdhjetë e tre milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në bashkitë Vorë dhe Lezhë.
- Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Vorë dhe Lezhë, sipas detajimit të mëposhtëm:
- a) Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 35 550 000 (tridhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.
- b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 217 913 855 (dyqind e shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).
db/Abcnews.al