Puna flet më shumë se fjalët. Me këtë shprehje kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i ka dorëzuar çelësat e shtëpisë së re një familje që kishte mbetur e pastrehë pas përmbytjeve nga shirat në kryeqytet.
Shiu i shkatërroi shtëpinë familjes Mici në zonën e Kasharit në Tiranë. Pas çdo rrebeshi del dielli e këtë familjes më 7 anëtarë ia kujtoi kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
“Ndaj pas kësaj situate shumë të vështirë, Fondacioni “Mirësia”, Bashkia, të gjithë bamirësit e dashamirësit, u mblodhën bashkë për ta ndihmuar këtë familje”.
Çelësat e një banese të re është ndihma që i dhanë familjes Mici. Kjo është mënyra se si i zgjidhin hallet e njerëzve socialistët tha kryetari i bashkisë Tiranë.
“Sot po shohim, që duke filluar nga Kryeministri i vendit, kryetarë bashkie, deputetë, drejtues fondacionesh, drejtues fetarë, drejtues në komunitet, secili po mundohet të bëjë diçka për të treguar që llafe e mend japin të gjithë, por pyetja është a ka dikush që lëviz dhe i bën dy gurë bashkë, dikush që e merr përsipër dhe e çon deri në fund? Unë jam i bindur se nevoja është shumë e madhe, por sot kjo nevojë është një problem më pak, falë faktit që u ndërtua një shtëpi. Nëse këtë e bëjmë përditë do jetë gjithmonë një problem i zgjidhur, një problem më pak dhe një hapësirë më shumë që të shkojmë e të ndihmojmë dikë tjetër”.
Kryebashkiaku i Tiranës siguroi se ky kontribut do të vijojë edhe më tej, duke u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, ndërsa theksoi se ky është një tjetër shembull se puna flet më mirë se sa fjalët./abcnews.al