Rindërtimi i 4 shtëpive nga FSHF, firmoset marrëveshja me qeverinë

schedule19:57 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 19:57 - 14 Dhjetor, 2020

Orët e para të 26 nëntorit të vitit të kaluar tronditën Shqipërinë. Tërmeti i frikshëm shkaktoi 51 humbje jetësh, teksa mijëra persona u plagosën dhe shumë shtëpi u dëmtuan. FSHF (Federata Shqiptare e Futbollit) ka vendosur të rindërtojë me donacionet e saj 4 shtëpi në zonat e Durrësit dhe Shijakut.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku ka firmosur ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë shqiptare për bashkëpunim në rindërtimin e katër shtëpive të shkatërruara nga tërmeti tragjik i vitit të kaluar.

Pas firmosjes së marrëveshjes me Arben Ahmetajn, Ministri i Shtetit dhe Rindërtimit, Shulku falënderoi të gjithë federatat, lojtarët e kombëtares dhe administratën e FSHF-së për kontributin financiar, teksa Ahmetaj vlerësoi solidaritetin e FSHF-së.

Rindërtimi i 4 shtëpive me donacionet e #FSHF, firmoset marrëveshja me qeverinë

Posted by Federata Shqiptare e Futbollit on Monday, 14 December 2020

SHULKU – “Jam shumë i lumtur që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Presidentit Duka, firmosim sot këtë marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin Ahmetaj për rindërtimin e disa shtëpive të dëmtuara nga tërmeti me donacione të FSHF-së. Kjo marrëveshje vjen në respekt të angazhimit të FSHF-së për t’u solidarizuar me familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar.

Menjëherë pas tërmetit Federata e Futbollit nisi mbledhjen e fondeve për t’u ardhur në ndihmë familjeve të goditura nga kjo fatkeqësi natyrore. Thirrjes tonë për ndihmë iu përgjigjën menjëherë partnerët tanë, si Federata e Italisë, Federata e Islandës, Federata e Kosovës, Federata e San Marinos, Federata e Çekisë dhe Federata e Spanjës. Gjithashtu, iu përgjigjën kësaj thirrje përmes donacioneve edhe lojtarë të ekipit Kombëtar, trajneri Edi Reja, administrata e FSHF-së dhe donatorë të tjerë të jashtëm.

Dua t’i falënderoj në mënyrë të veçantë të gjitha këto federata, futbollistët Elseid Hysaj e Thomas Strakosha si edhe administratën për kontributin e tyre financiar. Falë fondeve të grumbulluara do të rindërtohen nga e para 4 shtëpi, më konkretisht 2 në zonën e Bubqit, 1 në Durrës dhe 1 në Shijak për t’i ardhur në ndihmë këtyre familjeve, që të rikthehen sa më parë në jetën normale. Me ndihmën e qeverisë ne shpresojmë që ky proces rindërtimi të nisë sa më shpejt, të mos ketë burokracira, që këto familje të hyjnë sa më parë në një banesë të re”.

AHMETAJ – “Sot nënshkruajmë një tjetër marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të rindërtimit. Më vjen mirë që Federata Shqiptare e Futbollit iu bashkua këtij projekti madhor, që në një vit ka angazhuar mbi 25 vende të huaja donatore dhe një numër të madh sipërmarrjesh shqiptare, të cilat gjej rastin t’i falënderoj sot për solidaritetin e treguar që në ditën e parë pas tërmetit të vitit të kaluar.

Federata Shqiptare e Futbollit do të financojë ndërtimin e katër banesave individuale në Bashkitë Durrës dhe Shijak. Donacioni sipas kësaj marrëveshjeje do t’i nënshtrohet të gjitha parashikimeve ligjore në fuqi për përjashtimet fiskale përkatëse në rastet e fatkeqësive natyrore në kuadër të rindërtimit. E falënderoj edhe një herë Federatën Shqiptare të Futbollit”. /abcnews.al