Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet në bllokun e pallateve në Lagjen 14 në kryeqytet, që kufizohet nga rrugët “3Dëshmorët”, “Rexhep Shala” dhe “Joklin Persi”. Ky investim i rëndësishëm për zonën ka për qëllim lehtësimin e aksesit me rrugët e tjera të qytetit për banorët e saj. Veliaj falenderoi qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin për realizimin e projekteve të Bashkisë së Tiranës.
“Ky do të jetë mandati i lagjeve si lagjia e Astirit, për t’u siguruar që kemi një standard të njëjtë nga periferia e Tiranës, deri në qendër të saj. Fakti që këtu ka sipërmarrje, ka jetë dhe përbëhet nga një mozaik me qytetarë nga e gjithë Shqipëria, e bën këtë një nga lagjet më të rëndësishme. Para se të fillojmë me kantieret e shkollës, kemi aplikuar një regjim të punëve ku nuk i hapim të gjitha kantieret përnjëherë. Vetëm në këtë kantier janë 5.5 hektarë, shumë rrugë lidhëse. Rruga “Tre Dëshmorët” e dimë që është damari kryesor i Astirit të brendshëm, si një paralele me autostradën. Tani ka ardhur koha që teksa po përfundon segmenti i fundit i autostradës, ne të fillojmë edhe me të gjitha blloqet e tjera. Do aplikojmë një sistem domino, praktikisht mbaron një bllok, fillon një bllok tjetër e kështu me radhë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se me të mbaruar rikualifikimi i këtij blloku banimi, do nisë puna edhe në blloqet e tjera të pallateve. Veliaj dha disa detaje teknike sa i përket ndryshimeve në këtë hapësirë. “Ku të mbarojë ky bllok në fund të marsit, do kemi përfunduar shtresat asfaltike, shtresat e gomuara për korsitë e biçikletave dhe zonat pedonale, po ashtu do kemi integruar parqet xhep brenda pallateve. Po të shikosh, edhe kur ka pasur një mungesë të ndërhyrjes që nga koha e ish-komunës, qytetarët janë kujdesur të ketë gjelbërim dhe përkujdesje të territorit. Ndonjëherë organizimi qytetar është edhe më i rëndësishëm se organizimi bashkiak dhe shtetëror. Sigurisht, kur bëhen të gjithë bashkë, bashkimi sjell një fuqi të jashtëzakonshme. Ftesa për të gjithë qytetarët është, sidomos në fund të muajit, pasi të mbarojnë shirat, që të largojnë makinat nga parkingjet që të punojnë mjetet e rënda, sidomos ato asfaltike, rulat dhe shtruesit, që të mbarojmë në kohë rekord. Kemi përgatitur edhe hapësira të përbashkëta parkimi për ato pallate që nuk kanë një parkim nëntokësor”, u shpreh ai.
Në fund, kreu i bashkisë tha se shumë shpejt do nisë ndëritmi i dy shkollave të reja, me kapacitet të lartë, duke iu përshtatur kështu kërkesës së banorëve të zonës.
“Do fillojmë menjëherë me dy shkollat që janë te rruga “3 Dëshmorët”, pastaj me anën tjetër të Lanës, që të sigurohemi me dy shkolla në secilën anë. Ato duhet jo vetëm të përmbushin kërkesat aktuale, por të përgatitemi për 20-30 vitet e ardhshme, duke pasur parasysh që lagjia po vazhdon të rritet. Këtu jemi në kufirin midis zonës urbane dhe fillimit të zonës periferike ose rurale, probabiliteti është i lartë që është vetëm çështje kohe derisa Astiri, Misto Mame dhe Kombinati të jenë të gjitha të urbanizuara. Është shumë e rëndësishme që t’i bëjmë shkollat me një kapacitet shumë të lartë, që pastaj kur të vijë momenti të kemi të planifikuara klasa për fëmijët që do të lindin dhe të tjetër që do të shtohen në lagje”, përfundoi Veliaj./abcnews.al