Transformimi urban i Vlorës nuk ndalet, falë një sërë projekteve që po zhvillohen paralelisht në lagje, rrugë dhe sheshe të qytetit.
Hapësira ku shtrihet Bulevardi i Palmave dhe Agrumeve, në hyrje të Vlorës, është një sipërfaqe ku po investohet për rigjenerimin urban, për ta shndërruar nga një vend i lënë në harresë, në një zonë krejtësisht të rehabilituar, me rrugë kalimi për makinat, me pedonale për këmbësorët, me vende parkimi e korsi biçikletash, fasada, fusha sportive, duke i rritur njëkohësisht vlerat edhe bizneseve te zones.
Kryeministri Rama e vijoi në këtë kantier inspektimin e radhës, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha.
“Kjo do jetë dhe rrugë kalimi dhe rrugë pedonale këmbësorësh duke qenë se është zgjeruar. Logjika e kësaj është logjikë e bulevardit pratikisht të Vlorës, duke i dhënë më shumë aksesibilitet këmbësorëve.
Kjo ka qenë një zonë komplet e degraduar, ndërkohë që ishte një nga hyrjet kryesore të Vlorës.” – shpjegoi Drejtori i FShZh Dritan Agolli.
Ndërkohë, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë dhe sugjeroi lidhur me disa detaje të mobilimit urban, në mënyrë që rruga të jetë sa më funksionale. Ai theksoi ndër të tjera se me përfundimin e rrugës do të rritet ndjeshëm vlera bizneseve të asaj zone.
Gjithë projekti është konceptuar i ndarë në “3 Bulevarde”; Bulevardi i palmave; Bulevardi i jacarandave; Bulevardi i agrumeve, ku secili prej tyre është unik dhe dallon nga gjelbërimi i përdorur në të dhe detajet e mobilimit urban.
Gjithashtu, në këtë projekt parashikohen edhe zona rekreative të cilat janë konceptuar mbi idenë e krijimit të një kopshti me llojshmëri gjelbërimi.