Sezoni i ri i Serie A nisi në fundjavë dhe ndeshjet u zhvilluan me dyer të mbyllura. Rikthimi i tifozëve në stadiume është tema më e përfolur në Itali, teksa do të nisë me nga 1 mijë tifozë për ndeshje si fillim.
Presidenti i FIGC (Federata Italiane e Futbollit), Gabriele Gravina ka folur për Radio Anch’io Sport, aty ku thekson se kjo shifër është e vogël. Kreu i futbollit italian dëshiron që më shumë tifozë të ndjekin sfidat nga shkallët, edhe pse rikthimi do të jetë gradual.
“Italia ka nevojë t’i kthehet normalitetit dhe ritmit normal të jetës. 1 mijë tifozë për ndeshje janë shumë pak, por rëndësi ka që të ndodhë rikthimi i tyre në stadiume, madje edhe në Serie B dhe Serie C.
Sigurisht që në mënyrë graduale, por duam t’i hapim stadiumet për sa më shumë njerëz. Gradualiteti duhet të jetë proporcional, pasi distancimi shoqëror është i thelbësor.
Në finalen e Superkupës së Evropës që do të luhet në Budapest, do të lejohen të futen 30% e kapacitetit të stadiumit. Ky është një sinjal i rëndësishëm, të shohim se çfarë do të ndodhë“, deklaron Gravina. /abcnews.al