Rikthimi i Superiores, çfarë deklaruan Armand Duka dhe Edvin Libohova

schedule14:45 - 29 Tetor, 2020

schedule 14:45 - 29 Tetor, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit ka zhvilluar mbledhjen e radhës, pasi dy ditë më parë morën edhe përgjigjen e deputetit Fidel Ylli, i cili në letrën e tij u bënte me dije presidentëve të klubeve të Superiores se kryeministri Edi Rama ishte dakord parimisht me 4 kërkesat e tyre.

Liga e Futbollit, pas një diskutime mes përfaqësuesve të 10 klubeve anëtare, si dhe përfaqësuesve të FSHF, Armand Duka dhe Marjus Sulejmani, vendosi që Kategoria Superiore të nisë të mërkurën. Presidenti Armand Duka, pas takimit deklaroi se Kupa nis të dielën.

“Kishte debate në mbledhje. Bojkoti e ka realizuar në një mënyrë qëllimin, pasi e solli çështjen ne vëmendje. Jemi në rrugë të mbarë, kam pasur takime të vazhdueshme me përfaqësuesit e qeverisë. Kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga kërkesat. Janë diskutuar mes Libohovës dhe Ministrisë së Financave, tani mbetet marrja e vendimit. Bisedimet kanë qenë pozitive dhe ky është vendimi më i mirë.

Të gjithë kemi një qëllim, të zhvillohen aktivitetet. Sa i takon stadiumeve, kemi pasur vështirësi edhe herë të tjera. Kjo ishte arsyeja pse u la të luhej kupa të dielën. Kështu fushat bëhen gati për të mërkurën. Dekarata e Denajt? Nuk kemi akord me asnjë, as kontratë. Kërkojmë të marrin përgjegjësitë e veta për ato që paguhen. Ne nuk kërkojmë gjëra alogjike. Ne nuk bëjmë presion, kërkojmë të realizohen ato të mira që duhen për sportin”, tha mes të tjerash presidenti i FSHF, Armand Duka.

 

Presidenti i Ligës së Futbollit, Edvin Libohova, tha: “Parimisht kemi një mbështetje, por detajet për Ligjin e Sponsorizimit do të zgjidhen në ditët në vijim. Nëse nuk vjen zgjidhja? Është një vendimmarrje që nuk vjen sot. Gjithçka do merret në dinamikë. Nëse nuk do të ketë lëvizje dhe të marrim masa, atëherë mund të merret një vendim tjetër jo vetëm nga futbolli, por edhe nga komuniteti i sportit.

Nuk është çështje garancish shtesë. Bisedimet kanë qenë të tilla që kanë çuar në mirëkuptim. Për të mos dobësuar futbollin, por edhe për të vazhduar përpjekjet dhe luftën tonë në plotësimin e kërkesave që kemi shtruar”.

 

“Kam thënë që nëse nuk realizohet kjo që po përpiqemi, nuk kam pse rri më. Jemi në proces, nuk bëhet një ligj për 24 orë. Nuk ka kuptim të vazhdoj më nëse nuk e arrijmë këtë që kemi nisur. Kemi rëën dakord për tre pikat, në masë të kënaqshme. Thembra e Akilit është Ligji i Sponsorizimit. Kërkojmë variantin tonë, pasi është më funksional”.

Kampionati ishte programuar të niste që me 12 shtator, por katër kërkesat e Ligës nuk u morën parasysh fillimisht dhe nuk munguan edhe replikat në distancë, derisa palët u ulën më pas në tavolinë.

NGËRÇI – Ligji i Sponsorizimit ishte pika ku Liga e Futbollit dhe Ministria e Financave kishin ngecur. Komuniteti i futbollit ishte kundër ligjit ekzistues, për të cilin ministria këmbëngulte se ishte i duhuri dhe se prodhon për sportin rreth 30 milion euro.

Nga ana e Ligës dhe e FSHF u këmbëngul për një tjetër version të Ligjit të Sponsorizimit, që u krijon mundësinë bizneseve që 30% të tatimit të fitimit të mund ta investojnë në sport, sigurisht me rregulla të qarta se për çfarë mund të shpenzohen ato para. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!