Rikthimi i futbollit ende pa datë, Ligji i Sponsorizimit mbetet “ngërçi” i madh

schedule16:59 - 22 Tetor, 2020

schedule 16:59 - 22 Tetor, 2020

Priten bisedime të vështira mes Ligës së Futbollit dhe qeverisë për një marrëveshje përfundimtare mes tyre. Problemi kryesor lidhet me Ligjin për Sponsorizimin

Askush nuk dëshiron të dalë i dobët, por as sherri nuk u bën mirë. Përpara fundit të kësaj jave pritet të arrihet kompromisi mes Ligës së Futbollit dhe qeverisë shqiptare, ndonëse nuk pritet të jetë e lehtë që të gjendet gjuha e përbashkët për Ligjin e Sponsorizmit.

Kjo është edhe kërkesa kryesore e futbollit profesionist, ku duket se Liga do të heqë dorë nga pretendimi për t’i ngjarë Kosovës me njohjen e sponsorizimit në sport si të zbritshëm nga tatimet në masën 30 për qind.

Qeveria ka propozuar njohje 5 për qind, dhe njohje trefish të kësaj shume pra 15 për qind, për kompanitë që deklarojnë 100 milionë lekë fitim në vit. Kundërpropozimi i Ligës dhe i Federatës ishte që të pranohej kjo formulë, veçse me ulje të pragut te kompanitë që deklarojnë deri në 20 milionë lekë fitime në vit.

Burime në Federatë pohojnë se mund të gjendet një mesatare deri te kompanitë me 40 apo 50 milionë lekë fitim vjetor. Ndërkaq, specialistë të ndryshëm që nuk kanë dashur të dalin me emër, sqarojnë për televizionin se edhe me formulën e qeverisë, përfitimet e bizneseve që sponsorizojnë sportin mund të arrijnë në 20-25 milionë euro në vit.

Duket e vështirë që qeveria të tolerojë më shumë sesa uljen e TVSH-së në 6 për qind për investime në infrastrukturë sportive, nga shteti dhe privati, gjë që është miratuar në parlament.

Gjithsesi, pritet që të ketë falje të kamatëvonesave dhe gjobave për detyrimet e prapambetura në tatime, në kuadër të një amnistie të përgjithshme për biznesin. Ekziston mundësia që bojkoti të mbyllet këtë fundjavë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!