Rikthime dhe largime/ Lista e EURO 2024, Sylvinho: E kisha të vështirë. Broja? I gatshëm 100 përqind

schedule17:10 - 27 Maj, 2024

schedule 17:10 - 27 Maj, 2024

Ashtu siç ishte njoftuar edhe më herët nga FSHF, pasditen e kësaj të hëne trajneri Sylvinho ka dalë në një konferencë për shtyp në “Shtëpinë e Futbollit” dhe ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për Euro 2024 e cila do të mbahet në Gjermani nga data 14 qershor e deri më 14 korrik.

Kështu për portën janë thirrur Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati e Simon Simoni. Në mbrojtje Sylvinho ka vendosur të marrë me vete për fazën përgatitore Naser Alijin, Arlind Ajetin, Ivan Balliun, Berat Gjimshitin, Elseid Hysajn, Mario Mitajn, Marash Kumbullën, Ardian Ismajlin dhe Enea Mihajn.

Në mesfushë rikthehet Amir Abrashi, ndërsa pjesa tjetër e grupit përbëhet nga Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi dhe Ylber Ramadani. Ndërkaq, sulmi përbëhet nga Armando Broja, Jasir Asani, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj dhe Taulant Seferi.

Në këtë listë, pati shumë surpriza, me Muja, Uzuni, Cikalleshi e Keidi Bare të cilët u lanë jashtë.

Në lidhje me këtë listë, trajneri Sylvinho ka shpjeguar gjithçka, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës për shtyp.

“Duhet të them që është një krenari që jam trajneri i kombëtares shqiptare që do të shkojë në Euro 2024. Sa më përket mua dhe stafit, do të dëshiroja të falënderoja të gjithë ata që deri këtu kanë bërë një rrugëtim me të gjithë ne. Respekti im për të gjithë ata. Zgjedhja jonë është bazuar në shumë studim, analizë, karakteristikë, individuale dhe kolektive të çdo lojtari dhe çdo skenari që do të ndeshim në kompeticion. Është përgjegjësi e trajnerit të zgjedhë lojtarët dhe për fat të keq nuk mund të marr të gjithë. Jam munduar të bëj më të mirën, i kam kushtuar të gjithë sforcot për më të mirën e skuadrës. Luajmë për 3 milion shqiptarë që luajnë këtu dhe më shumë se 10 milionë në të gjithë botën.

Sigurisht puna me një kombëtare është ndryshe nga klubet, patëm 2 miqësore në mars që u dhamë mundësinë disa lojtarëve që nuk iu dhamë më përpara ti provonim. Në miqësore bëmë disa testime dhe provuam disa lojtarë që donim të provonim.

Dera është e hapur në çdo moment, mund të jesh në formë dhe merr ftesën. Nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente. E theksoi edhen njëherë që finalet e Europianit janë komplet diçka tjetër ndryshe nga kualifikueset që ke 10 muaj kohë që të luash, por çdo lojtar është në 100%.

Zgjedhja ime është e vështirë por dua t’i falënderoi të gjithë lojtarëve, nuk mundem që të ftoj më shumë lojtarë. Jam i bindur që grupi i lojtarëve është i qetë, kam qenë vetë futbollist dhe e di se çfarë do të thotë të rrish në stol ose në tribunë, nuk të vjen mirë por duhet të pajtohen me vendimet e trajnerit.

Unë preferoj gjithmonë që të flas për lojtarët që janë këtu. Nuk ka qenë një zgjedhje e lehtë për mua dhe të gjithë trajnerë, sot kam dëgjuar grumbullimin e Spanjës, të gjithë ishin në vështirësi, edhe ata që kanë 35-40. Nuk është e thjeshtë, unë preferoj të flas gjithmonë për lojatarë që janë mirë. Abrashi është një lojtar që ka bërë Euro 2016. I vetmi mesfushor që ka bërë Europiani, na ka sjelle eksperiencë, shpirtin dhe grintën që ka kjo skuadër. Berisha është një vit që e ndjekim, prej kohësh, sepse sipas nesh përgjigjet. Si Mitaj që vjen një moment, është një punë që është gati dhe duhet të ketë këtë eksperiencë. Abrashi do i japë shumë eksperiencë këtij lojtari.

Unë dëshiroja të merrja 35. Është e vërtetë që ka lojtarë që e meritojnë të jenë këtu, por nuk mund të marr. UEFA thotë 26. Disa e meritojnë, por kështu është jeta, nuk është e lehtë. Ne i kemi studiuar lojtarët në nivel individual, karakteristikat, kundërshtarin, skenarët, nuk është e thjeshtë. Pastaj në bazë të të gjithave zgjodhëm këto, por sigurisht që kemi deri në 10 lojtarë më shumë të gatshëm për të hyrë në ekip, por bëmë këtë zgjedhje. Kemi 15 ditë stërvitje, me 7 duhet të bëjmë listën përfundimtare. Më vjen keq për lojtarët, jemi në vështirësi, rregulli është 26. Për fat të keq është kështu dhe ne kemi besim te këta 27 që janë këtu.

Për ne si staf minutazhi i një lojtari me klubin nuk është kriter madhor. Ka lojtar që nuk kanë luajtur shumë me klubin por me ne ka bërë mirë. Lojtarët që duhet të vijnë duhet të jetë 100% gati. Unë do të doja ta kisha Muçollin por kam folur me të dhe ka pasur një dëmtim. Kam folur edhe me 3-4 lojtarë të tjetër që nuk janë mirë fizikisht dhe prandaj nuk janë pjesë e listës.

Për sa i përket Brojës, është lojtar që të gjithë e njohin mirë. Është i shpejtë dhe i forto në situate një kundër një me mbrojtësin, ka 6 muaj që e ka lënë dëmtimin pas, po ashtu edhe si Manaj që mund të jap maksimumin në fushën e lojës. Në rastin e Shqipërisë ka lojtarë që nuk luajnë me klube ose luajnë pak, por kur kanë ardhur te ne janë paraqitur mirë prandaj nuk është kriter kryesorë për ne minutazhi.

UEFA thotë që nëse një lojtarë mund të lëndohet pas datës 7 qershor, mund të bësh vetëm një ndryshim, por vetëm një. Nëse një futbollist ka probleme fizike mund të ketë ndryshime. Simoni është një djalë i ri që po e ndjekim prej kohës. Më datë 7 qershor do e vendosim nëse ai do të jetë pjesë e Europianit.

Sa i përket listës, mendoj se nuk ka asnjë frikë, nuk ka frikë, por shqetësim gjithmonë. I kemi parë kundërshtarët, i kemi studiuar, ka ende shumë për të bërë. Të tre janë të fortë, shumë të fortë, por mund të shkojmë se për shembull kemi 5 lojtarë qendre, por nuk do të thotë që luajnë 5, por 2 ose 3. Pastaj ne besojmë shumë te Muçi, Bajrami dhe Seferi. Ata mund të luajnë në role të ndryshme, ata mund të bëjnë krahun, mesfushën, gjysmë-sulmuesin. Kjo mund të na japë shumë. Laçi është një lojtar që mund të bëjë shumë role. Edhe zhvillimi i futbollit, brenda fushës bëjnë role të dyfishta, sipas meje kemi 3-4 lojtarë që mund ta bëjnë.

Rinovimi? Edhe stafi, unë flas për veten dhe stafin, ne jemi me mendjen prej kohësh te Europiani. Për ta studiuar, nuk është e thjeshtë, do të mundohemi të bëjmë maksimumin për këtë ekip, vendin, ne, mbi të gjitha për ekipin. Forca jonë dhe energjia është e gjithë aty. Më pas ta shohim. Nuk është problem, e rëndësishme është Europiani.

Kam tre muaj që punoj mbi këtë listë. Kam ndryshuar shumë herë. Kjo listë është bërë në tre ditët e fundit. A ndryshohet gjë në aspektin e manovrës? Patjetër mund të ndryshojmë. Nuk ka të bëjë asgjë me kualifikueset. E përsërit, është një kampionat tjetër. Nëse më thoni që me Ishujt Faroe kemi bërë… nuk ka aspak lidhje, është një tjetër kampionat. Ne duhet të çojmë diçka më shumë në Europian që është një nivel shumë i lartë. Ne duhet të mundohemi të bëjmë diçka më shumë.

Kemi bërë mirë, por pastaj është një turne tjetër, është ndryshe gjithçka. Një nivel shumë i lartë. Ne nën presion? Ne nuk e kemi, ne duhet të shkojmë e luajmë, përmirësohemi e provojmë. Në botën e futbollit ekziston ajo që çdo ndeshje është një mrekulli, mund të ndodhë gjithçka. Shohim shumë gjëra. Në Katar 2022 ndeshja e parë dhe mund të ndodhte gjithçka. Ne do të shkojmë të luajmë. Njohim forcën e kundërshtarit, ata luajnë jo për të ecur në turne, por për të fituar Europianin. Por ne duhet të transmetojnë të gjithë besimin, zemrën e skuadrës. Ky shpirt është ai që duhet të shkojmë në Europian, ne duhet të heqim presionin ndaj lojtarëve. Duhet të shkojmë e vrapojmë, ajo është e panegociueshme. Zemra e shpirti nuk negociohet se ato jemi ne.

Ne duhet të shkojmë në Europian për të luftuar për çdo pikë, ky është shpirti i duhur dhe ai që kemi. Fubtolli është i bukur dhe mund të ndodhi gjithçka, kemi parasysh Portugalinë e viti 2016. Mori 3 barazime në grup dhe pastaj e fitoi kompeticionin. Po shkojmë të luajmë me skuadrat më të mira në botë dhe Europë. Qëllimi është të shkojmë dhe të luftojmë për çdo pikë”, ka përfunduar konferencën për shtyp trajneri Sylvinho. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!