Rikthehet ora verore, të dielën akrepat zhvendosen një orë përpara 

schedule15:43 - 30 Mars, 2025

schedule 15:43 - 30 Mars, 2025

Ora ndryshoi ketë të diel në vendet e Bashkimit Europian kjo nuk do të jetë hera e fundit, pavarësisht dëshirës së miliona qytetarëve që diçka e tillë të ndalet.

Megjithëse institucionet evropiane kanë diskutuar mundësinë e heqjes së ndryshimit të orës, reforma ka ngecur mes interesave të vendeve anëtare dhe çështjeve më urgjente ndërkombëtare.
Ndikimi negativ në ekonomi dhe shëndet ka shtyrë shumë vende dhe parlamentarë të kërkojnë një vendim përfundimtar. Studimet tregojnë se ndërrimi i orës dy herë në vit ndikon në ritmet biologjike të njerëzve dhe kafshëve, si dhe shkakton vështirësi në transport dhe aktivitete të përditshme.

Komisioni Evropian propozoi heqjen e kësaj praktike në vitin 2018, pas një konsultimi publik ku rreth katër milionë qytetarë u shprehën në favor të reformës. Parlamenti Evropian e mbështeti idenë një vit më pas, por procesi u bllokua për shkak të mungesës së një dakordësie mes vendeve anëtare.

Aktualisht, Polonia, e cila mban presidencën e radhës të BE-së deri në korrik, synon ta risjellë çështjen në agjendën e vendeve anëtare. Por mbështetja mbetet e kufizuar, pasi shumë shtete e konsiderojnë këtë një çështje dytësore krahasuar me sfida më të mëdha si lufta në Ukrainë dhe tensionet tregtare me SHBA-në.

Një nga mbështetësit më të zëshëm të reformës, eurodeputeti irlandez Shon Kelli, thekson se është koha për t’i dhënë fund kësaj praktike, duke e krahasuar atë me objektivat e BE-së për reduktimin e emetimeve të karbonit. Ai argumenton se ndryshimi i orës nuk sjell përfitime domethënëse, por krijon më shumë probleme për shëndetin dhe ekonominë.

Në nivel ndërkombëtar, disa vende si Rusia, Turqia, Irani dhe Azerbajxhani tashmë e kanë hequr ndryshimin e orës. Por jo të gjitha vendimet kanë qenë të qëndrueshme: Egjipti e eliminoi këtë praktikë në vitin 2014, por e riktheu në 2023 për të kursyer energji.

Ndërkohë, debati është i pranishëm edhe në SHBA. Presidenti Donald Trump e ka cilësuar ndryshimin e orës si “të panevojshëm” dhe “të kushtueshëm”, megjithëse qëndrimi i tij ka mbetur i paqartë. Sondazhet në internet, madje edhe nga miliarderi Elon Musk, tregojnë se shumica e votuesve do të preferonin një orë të përhershme.
Pavarësisht mbështetjes së madhe për reformën, vendet e BE-së nuk kanë arritur ende në një marrëveshje të përbashkët. Presidenca e Lituanisë ka premtuar ta rikthejë çështjen në vitin 2027, por deri atëherë, qytetarët evropianë do të vazhdojnë të përshtaten me ndryshimin e orës dy herë në vit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!